Lojtarët e Iranit ende në pritje të vizave amerikane për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror

Federata Iraniane e Futbollit ka bërë të ditur se kombëtarja ende nuk ka marrë vizat amerikane për pjesëmarrje në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.

Sipas Al-Jazeera, presidenti i federatës, Mehdi Taj, ka deklaruar se në ditët në vijim do të zhvillohet një takim vendimtar me FIFA-n për të kërkuar garanci lidhur me këtë çështje, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, deri tani asnjë lojtar apo anëtar i ekipit nuk është pajisur me vizë amerikane.

“Do të kemi takim me FIFA-n dhe presim zgjidhje sa më shpejt. Ende nuk kemi marrë asnjë informacion se kujt i janë miratuar vizat”, tha Taj.

Ai shtoi se futbollistët duhet të udhëtojnë në Ankara për procedurat biometrike, por federata po përpiqet që procesi të organizohet në Antalia për të shmangur udhëtimet shtesë.

Situata vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa Botërori 2026 po afrohet.

Latest news
Related news