Presidenti francez Emmanuel Macron ka emëruar sërish Sebastien Lecornu si kryeministër, pas dorëheqjes së tij më herët këtë javë. Qëllimi i Macron është që besniku i tij të sigurojë mbështetje nga parlamenti i thellësisht i ndarë dhe të miratojë buxhetin e vitit 2026.
Në një postim në X, Lecornu tha se pranon këtë detyrë “nga ndjenja e detyrës” dhe premtoi të bëjë gjithçka të mundshme për të siguruar buxhetin deri në fund të vitit dhe për të adresuar çështjet e përditshme të qytetarëve. Ai theksoi gjithashtu nevojën për të vënë një fund krizës politike që sipas tij “dëmton imazhin dhe interesat e Francës”.
Takimi i Macron me liderët e partive kryesore kishte për qëllim mbledhjen e mbështetjes për zgjedhjen e Lecornu, por liderët e majtë shprehën pakënaqësi që kryeministri nuk vjen nga radhët e tyre, duke sugjeruar se qeveria e ardhshme mund të jetë po aq e brishtë sa ato të mëparshmet. Socialistët deklaruan se nuk ka garanci që qeveria nuk do të refuzohet nga parlamenti, ndërsa një qeveri e dështuar mund të shtojë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, një skenar që favorizon të djathtën ekstreme, shkruan Reuters.
Kriza politike në Francë, që ka ndikuar edhe në rritjen ekonomike dhe ka shqetësuar tregjet financiare, ka rrënjët në zgjedhjet legjislative të vitit të kaluar, të cilat sollën një parlament të ndarë në tre blloqe ideologjikisht të kundërta. Përpjekjet për të stabilizuar financat, duke përfshirë ulje shpenzimesh ose rritje taksash, kanë thelluar mosmarrëveshjet politike, ndërsa liderët po planifikojnë gjithashtu garën për pasardhësin e Macron në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.



