Malaj: Është shqetësuese që të rinjtë po mendojnë më shumë anglisht sesa shqip

Pedagogia nga Shqipëria, Nora Malaj, ka ngritur shqetësimin për ndikimin që ka gjuha angleze te të rinjtë, duke thënë se përdorimi i saj si gjuhë dominuese mund të ndikojë në mënyrën e organizimit të mendimit.

E ftuar në emisionin “Ora Shtatë”, Malaj tha se krahas sfidave në arsim dhe tregun e punës, një çështje tjetër e rëndësishme është raporti i të rinjve me gjuhën shqipe.

“Kam ngritur si shqetësim, por edhe të ftuarit tuaj në studio e thanë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë: do të kemi një krizë në vitin 2030 për mësues të fushave të shkencave ekzakte, por edhe në shkencat shoqërore”, tha ajo.

Sipas saj, zhvillimi i karrierës duhet të nisë që në moshë të hershme dhe jo vetëm pas përfundimit të shkollimit.

“Menaxhimi i karrierës, zhvillimi i karrierës, nuk bëhet në fund të sistemit parauniversitar. Nuk fillon kur maturanti vendos se çfarë do të studiojë, por që në sistemin parashkollor”, u shpreh Malaj.

Ajo ka theksuar se është shqetësuese që shumë të rinj po mendojnë gjithnjë e më shumë në gjuhën angleze, për shkak të përdorimit të saj si gjuhë globale.

“Po kuptohet që të rinjtë po mendojnë jo më shqip, por anglisht, sepse anglishtja është bërë gjuhë globale. Sigurisht që është shqetësuese, sepse përpara se fëmija ta organizojë mendimin, e organizon atë në gjuhën amtare, në gjuhën e nënës. Kjo krijon perceptime të gabuara në psikikën e fëmijës”, deklaroi Nora Malaj.

Ajo shtoi se gjuha shqipe mbetet një element i rëndësishëm i identitetit dhe zhvillimit të individit.

Latest news
Related news