Zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria kryeson procesin, merr një shtysë të re.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se procesi i zgjerimit të unionit po përshpejtohet dhe brenda mandatit të saj, që përfundon në vitin 2029, do të ketë anëtarë të rinj.
Sipas diplomates evropiane, dinamika e zgjerimit ka ndryshuar ndjeshëm dhe vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për vendet kandidate, ku pararojë janë Shqipëria dhe Mali i Zi.
“Mund të them se Mali i Zi do të jetë anëtari i ardhshëm gjatë mandatit tim. Dhe nëse Islanda i rikthehet procesit të anëtarësimit dhe qytetarët e mbështesin këtë në një referendum në muajin gusht, do të jem gjithashtu e lumtur. Shqipëria tani ka nisur të mbyllë kapitujt e negociatave. Pra, lëvizja në procesin e zgjerimit është tani më e madhe se në 15 vitet e fundit”.
Komisionerja Marta Kos i bëri deklaratat në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, të mbajtur në Gdansk të Polonisë, raporton Top Channel, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Kos, dinamika e zgjerimit të Bashkimit Evropian tani është më e lartë dhe, sipas tij, komuniteti evropian do ta përshpejtojë këtë proces. Shqipëria synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.



