Ndahet nga jeta ish-kryetari i KF Ferizajt, Qamil Bytyqi – FFK shpreh ngushëllime

Është ndarë nga jeta Qamil Bytyqi, një figure e njohur e sportit dhe jetës kulturore në Ferizaj.

Në emër të tij personal dhe të Komitetit Ekzekutiv të Federata e Futbollit të Kosovës, presidenti Agim Ademi ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe komunitetin që e ka njohur dhe vlerësuar të ndjerin, transmeton Klankosova.tv.

Ademi tha se Qamil Bytyqi kujtohet si një kontribuues i rëndësishëm i futbollit kosovar dhe i zhvillimit të sportit në Ferizaj.

“Si ish-kryetar i KF Ferizaj, ai dha një kontribut të çmuar në funksionimin dhe forcimin e klubit, veçanërisht në periudha të vështira për futbollin në vend”.

Ademi shtoi se Bytyqi ka qenë i përfshirë aktivisht në përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e futbollit kosovar gjatë viteve të okupimit, duke lënë pas një trashëgimi të respektuar në historinë e klubit dhe sportit në Ferizaj.

Përveç sportit, ai ka qenë i angazhuar edhe në jetën kulturore të qytetit si pjesë e Ansambli Kastriotët, duke kontribuar edhe në fushën e artit dhe kulturës.

Në mesazhin e ngushëllimit theksohet se Qamil Bytyqi do të mbahet mend si një njeri me vlera të larta njerëzore dhe shoqërore, ndërsa emri dhe vepra e tij do të mbeten të respektuara nga komuniteti sportiv dhe kulturor.

“Lehtë i qoftë dheu i Kosovës”, thuhet në fund të mesazhit të presidentit të Federatës.

Latest news
Related news