Në takimin me SHBA-në, Ukraina do të propozojë një armëpushim të kufizuar

Një delegacion ukrainas, i cili do të takohet me kryediplomatin amerikan në Arabinë Saudite për të diskutuar përfundimin e luftës 3-vjeçare me Rusinë, do të propozojë një armëpushim që mbulon Detin e Zi dhe sulmet me raketa me rreze të gjatë, si dhe lirimin e të burgosurve, thanë të hënën dy zyrtarë të lartë ukrainas.

Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për takimin e së martës, i thanë gjithashtu Associated Press se delegacioni ukrainas është i gatshëm që gjatë bisedimeve të nënshkruajë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për aksesin në mineralet e rralla të tokës të Ukrainës – një marrëveshje që presidenti i SHBA Donald Trump dëshiron të sigurojë.

Zyrtarët diskutuan masat e ndërtimit të besimit, pa detaje të mëtejshme, përpara takimit të ekipit negociator ukrainas me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, në Jeddah.

Kievi po përpiqet të riparojë dëmin e shkaktuar kur vizita e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në Uashington më 28 shkurt.

Rubio dhe Zelenskyy zbarkuan me disa orë diferencë të hënën në Arabinë Saudite, megjithëse nuk pritej të takoheshin.

Duke folur me gazetarët në bordin e avionit të tij, Rubio tha se ai dhe këshilltari i sigurisë kombëtare, Mike Waltz, do të analizojnë përgjigjet e Ukrainës në Arabinë Saudite.

Nëse Ukraina dhe SHBA arrijnë një mirëkuptim të pranueshëm për Trump-in, kjo mund të përshpejtojë shtytjen e administratës së tij drejt bisedimeve të paqes.

“Ajo që ne duam të dimë është, a janë ata të interesuar të hyjnë në një lloj bisede paqeje dhe skica të përgjithshme të llojeve të gjërave që mund të marrin në konsideratë, duke pranuar se ka qenë një luftë e kushtueshme dhe e përgjakshme për ukrainasit. Ata kanë vuajtur shumë dhe njerëzit e tyre kanë vuajtur shumë”, tha Rubio. “Dhe është e vështirë pas diçkaje të tillë të flitet edhe për lëshime, por kjo është e vetmja mënyrë që kjo do të përfundojë dhe do të parandalojë më shumë vuajtje.”

Latest news
Related news