Nga 14 korriku do të hyjë në fuqi Ligji i ri për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili për herë të parë vendos një kuadër ligjor për organizimin e lojërave “Giveaway”.
Sipas Ministrisë së Financave, organizatorët e këtyre lojërave do të obligohen të marrin leje paraprake, të paguajnë tatim prej 18 për qind të vlerës totale të fondit të çmimeve dhe të publikojnë rregullat si dhe rezultatet e lojës.
Për marrjen e lejes, organizatori duhet të paraqesë kërkesë në Ministrinë e Financave jo më vonë se 30 ditë para fillimit të lojës. Krahas kërkesës, duhet të dorëzojë dokumentacionin përkatës, përfshirë rregullat e lojës, dëshmitë për origjinën e çmimeve, dokumentet e regjistrimit dhe certifikatat për pagesën e detyrimeve publike. Për personat juridikë kërkohet edhe certifikatë që nuk kanë ndalesa për organizimin e lojërave të fatit.
Ligji përcakton se tatimi prej 18 për qind i fondit të çmimeve duhet të paguhet brenda tri ditëve nga marrja e lejes. Në rast të mosrespektimit të këtij afati, leja për organizimin e lojës do të revokohet.
Rregullat e lojës me shpërblime duhet të publikohen para fillimit të saj, ndërsa emrat e fituesve duhet të bëhen publikë jo më vonë se tri ditë pas zhvillimit të shortit. Çmimet duhet t’u dorëzohen fituesve brenda afatit të përcaktuar në rregullore, por jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e rezultateve.
Sipas ligjit, rregullat e lojës duhet të përmbajnë të dhëna të detyrueshme për organizatorin, kushtet e pjesëmarrjes, mënyrën e përzgjedhjes së fituesve, vlerën e çmimeve, procedurën e ankesave, si dhe ndalimin e pjesëmarrjes për punonjësit e organizatorit dhe anëtarët e familjeve të tyre të ngushta.
Një lojë “Giveaway” nuk mund të zgjasë më shumë se një vit.
Me këtë ndryshim ligjor, për herë të parë përcaktohet edhe vetë termi “Giveaway”, si një lojë fati ku pjesëmarrja realizohet përmes veprimeve si pëlqimi, etiketimi, shpërndarja apo publikimi i përmbajtjes, me qëllim reklamimin e produkteve ose shërbimeve përmes internetit, pajisjeve mobile apo platformave të tjera.
Ministria e Financave vlerëson se rregullat e reja do të sjellin më shumë transparencë, siguri ligjore dhe mbrojtje për pjesëmarrësit, duke përcaktuar qartë edhe obligimet e organizatorëve të këtyre lojërave promovuese.



