Një izraelit i vrarë, 3 të plagosur në një sulm nga palestinezët

Sulmues palestinezë therën për vdekje një izraelit dhe plagosën tre të tjerë në Bregun Perëndimor të martën, para se të qëlloheshin për vdekje nga trupat izraelite, tha ushtria izraelite.

Dhuna ndodhi një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së dha mbështetjen e tij për planin e presidentit amerikan Donald Trump për sigurimin dhe qeverisjen e Gazës. Hamasi e refuzoi planin, ndërsa vende të tjera shprehën entuziazëm dhe gatishmëri për ta zbatuar atë, raporton AP.

Ushtria izraelite tha se sulmi me thikë ndodhi në kryqëzimin Gush Etzion, në jug të Jerusalemit, një vend i shumë sulmeve të mëparshme nga militantët palestinezë.

Shërbimet izraelite të Shpëtimit thanë se një burrë rreth të 60-ave vdiq në vend nga plagët e marra me thikë. Tre persona të tjerë u shtruan në spital, përfshirë një grua në gjendje të rëndë dhe një adoleshent në gjendje të moderuar. Ushtria tha se trupat izraelite më pas hapën zjarr, duke vrarë dy sulmuesit palestinezë.

Po ashtu të martën, shefi lokal i zyrës së Al Jazeera-s, Walid al-Omari, tha se forcat izraelite palgosën një kameraman të Al Jazeera-s ndërsa ai po mbulonte një protestë në qytetin Tulkarem të Bregut Perëndimor. Ushtria nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Latest news
Related news