Topi zyrtar i Kupës së Botës, i cilësuar nga FIFA si më i avancuari teknologjikisht i prodhuar ndonjëherë, po ngjall debat mes specialistëve të futbollit. I pajisur me një çip të integruar të lëvizjes që funksionon me frekuencë 500 Hz, ai u mundëson sistemit VAR dhe analistëve të marrin të dhëna jashtëzakonisht të sakta mbi pozicionin, shpejtësinë dhe madje edhe rrotullimin e topit.
Megjithatë, ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, beson se kjo teknologji po e bën më të vështirë punën e portierëve. Sipas tij, vështirësia shfaqet sidomos te goditjet në lartësinë e shpatullave, kur futbollistët nuk përdorin goditje me efekt dhe topi lëviz pa rrotullim, shkruan The Spectator, transmeton Klankosova.tv.
“Kur lojtarët nuk përdorin teknikën me efekt dhe topi nuk rrotullohet, portierët e kanë shumë më të vështirë të reagojnë”, është shprehur Hart.
Megjithëse ish-gardiani anglez njihet për përvojën e tij dhe aftësinë për të ndalur goditjet në zonën e kokës dhe shpatullave, statistikat e deritanishme nuk e mbështesin plotësisht këtë pretendim. Mesatarisht, portierët në këtë turne kanë realizuar gjashtë pritje për ndeshje, krahasuar me 5.1 pritje për takim në dy Kupat e Botës të mëparshme. Edhe numri mesatar i golave ka shënuar një rritje të lehtë, duke kaluar nga 2.6-2.7 gola për ndeshje në rreth tre gola për takim.
Hart përmend si shembuj portierin e Anglisë, Jordan Pickford, dhe atë të Senegalit, Edouard Mendy, të cilët sipas tij patën vështirësi të kontrollonin trajektoren e topit. Ai përmend gjithashtu portierin e Irakut, Ahmed Basil, i cili preku me majat e gishtave një goditje të Kylian Mbappe, por nuk arriti ta devijonte mbi traversë.
Megjithatë, këto raste mund të interpretohen edhe ndryshe. Pickford dhe Mendy janë kritikuar më parë për pasiguri në disa ndërhyrje, ndërsa Ahmed Basil u përball me një nga sulmuesit më të mirë në botë. Goditja e Mbappe, sipas të dhënave të regjistruara nga sensorët e topit, arriti shpejtësinë 74 milje në orë (rreth 119 km/h), afro 15 për qind më e shpejtë se mesatarja e goditjeve në Premier League.
Debati mbetet i hapur: a po e ndryshon teknologjia mënyrën se si luhet futbolli, apo vështirësitë e portierëve lidhen më shumë me cilësinë dhe intensitetin e goditjeve sesa me vetë topin?



