Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje të re për ndërtimin e një kompleksi të ri ambasade amerikane në Jerusalem, duke thelluar më tej praninë diplomatike të Uashingtonit në qytet.
Vendimi vjen pas ndryshimeve të nisura gjatë mandatit të parë të Donald Trump, kur në dhjetor 2017 SHBA “njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit” dhe urdhëroi zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi drejt Jerusalemit.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Ministrinë e Jashtme izraelite, ambasadori amerikan Mike Huckabee deklaroi: “Ne e njeh Jerusalemin si kryeqytetin e përjetshëm, autokton dhe të përhershëm të popullit hebre”. Ai shtoi gjithashtu: “Ne do të ngremë flamurin tonë, flamurin amerikan, mbi tokën e Jerusalemit për një ambasadë të re dhe të përhershme që do të shërbejë si qendra kryesore e aktiviteteve tona diplomatike këtu në Izrael”.
Marrëveshja u mirëprit nga ministri i jashtëm izraelit Gideon Saar, i cili e cilësoi si dëshmi të “aleancës së pathyeshme” mes dy vendeve.
Sipas njoftimeve, ambasada e re do të ndërtohet në kompleksin Allenby në Jerusalemin jugor. Ndërkohë, çështja e qytetit mbetet thellësisht e kontestuar në konfliktin izraelito-palestinez, ku palestinezët kërkojnë Jerusalemin Lindor si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.
Nga ana tjetër, organizata për të drejtat e njeriut Adalah e ka kritikuar projektin, duke thënë se ai “përjetëson një padrejtësi të thellë historike”.



