Osmani: Dje, sot e nesër, e njëjta rrugë – Kosova qëndron me Amerikën, sepse Amerika qëndron me Kosovën

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani, u është drejtuar qytetarëve me një video-mesazh, ku ka theksuar rëndësinë e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Osmani deklaroi se Kosova ka kaluar sfida të shumta, por sipas saj, në momentet më të vështira vendi nuk ka qenë kurrë i vetëm.

“Kosova ka kaluar shumë sfida, por në momentet më të vështira ne nuk kemi qenë kurrë vetëm, pranë nesh kanë qenë aleatët tanë, pranë nesh kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.

Ajo shtoi se marrëdhëniet me ShBA-në duhet të mbeten boshti kryesor i politikës shtetërore të Kosovës, duke premtuar se që në fillim të mandatit do të ndërmarrë hapa për formalizimin dhe institucionalizimin e këtij partneriteti.

“Që në fillim të mandatit do ta formalizojmë dhe institucionalizojmë partneritetin strategjik me ShBA-në, si bosht të përhershëm të politikës tonë shtetërore, në mbrojtje, në ekonomi, në siguri, në diplomaci. Dje, sot e nesër, e njëjta rrugë. Kosova qëndron me Amerikën, sepse Amerika qëndron me Kosovën.”, deklaroi Osmani./Klankosova.tv

Latest news
Related news