Rreth 20 mijë persona janë evakuuar nga jugperëndimi i Francës, ndërsa autoritetet po zhvendosin edhe 8.800 banorë të tjerë, pasi zjarret e mëdha pyjore po vazhdojnë të përhapen në rajonin e Gironde.
Sipas autoriteteve lokale, deri më tani janë djegur rreth 3.400 hektarë tokë në zonën përreth Gjirit të Arcachonit, ndërsa rreth 700 zjarrfikës po luftojnë me flakët, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Shumica e të evakuuarve janë turistë që po qëndronin në kampingjet e gadishullit Lege-Cap-Ferret. Edhe evakuimet e fundit janë përqendruar në kampingje, si masë parandaluese.
Prefektja e Girondes, Sophie Brocas, bëri të ditur se 10 mijë turistë u evakuuan gjatë natës nga kampingjet, ndërsa zhvendosja e banorëve në fshatin Claouey po zhvillohet në mënyrë të qetë. Ajo tha se deri më tani nuk është raportuar asnjë i lënduar, ndërsa disa rrugë dhe zona pyjore janë mbyllur për arsye sigurie.
Shefi i shërbimit zjarrfikës në Gironde, Marc Vermeulen, paralajmëroi se situata mbetet shumë e rrezikshme për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta.
Më herët gjatë kësaj jave, dy zjarrfikës humbën jetën duke luftuar me një tjetër vatër zjarri pranë aeroportit të Bordeaux.
Zjarret përfshijnë edhe Italinë dhe Spanjën
Situata kritike nuk kufizohet vetëm në Francë.
Në Itali, një zjarrfikës humbi jetën gjatë përballjes me flakët në San Cataldo të Sicilisë. Autoritetet italiane raportuan se vetëm në këtë ishull janë regjistruar mbi 350 zjarre, prej të cilave 10 kanë qenë të përmasave të mëdha dhe kanë detyruar evakuime parandaluese. Sipas Mbrojtjes Civile të Sicilisë, shumica e zjarreve dyshohet se janë shkaktuar nga veprimtaria njerëzore.
Ndërkohë, në Spanjë, banorët kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre pas zjarrit pranë fshatit Almorox, në jug të Madridit. Megjithatë, autoritetet thonë se flakët ende nuk janë vënë plotësisht nën kontroll. Deri më tani janë djegur rreth 890 hektarë, ndërsa në rajonin Guadalajara është regjistruar zjarri më i madh i këtij viti në vend, i cili ka shkrumbuar më shumë se 35 mijë hektarë.
Evropa përballet me valë të forta të të nxehtit
Franca, Italia dhe Spanja janë ndër vendet evropiane të goditura nga valët e gjata dhe intensive të të nxehtit këtë verë, të cilat kanë favorizuar përhapjen e zjarreve pyjore.
Një raport i publikuar në prill nga Shërbimi Evropian për Ndryshimet Klimatike “Copernicus” vlerësoi se 95 për qind e territorit të Evropës regjistroi temperatura mbi mesataren gjatë vitit 2025, duke e cilësuar kontinentin si rajonin që po ngrohet më shpejt në botë. Raporti thekson gjithashtu se sipërfaqja e djegur nga zjarret dhe emetimet e tyre arritën nivele rekord vitin e kaluar. /Klankosova.tv



