Ankohen argjentinasit, kërkojnë të riluhet finalja e Kupës së Botës

Më shumë se 80,000 tifozë argjentinas kanë nënshkruar një peticion për të riluajtur finalen e Kupës së Botës për shkak të “vendimeve të manipuluara të gjyqtarit”.

Ferran Torres shënoi të vetmin gol të ndeshjes në kohën shtesë, duke i dhënë Spanjës titullin e kampionit të botës për herë të dytë në histori. Argjentina mbeti në lot ndërsa Lionel Messi përshëndetej me tifozët, e ndërkohë në fushë shpërthyen disa përleshje, shkruan TheSun, transmeton klankosova.tv.

Që atëherë, Spanja e ka çuar trofeun në Madrid, ndërsa tifozët e “La Albiceleste” e kanë marrë përsipër vetë çështjen për të kërkuar drejtësi.

Një tifoze, Gisela Sanchez, krijoi një peticion në Change.org duke u bërë thirrje tifozëve të futbollit ta nënshkruanin atë, ndërsa kritikoi ashpër gjykimin dhe kërkoi përsëritjen e ndeshjes.
Në faqen e peticionit, që tashmë numëron 82,000 nënshkrime, ajo shkroi: “Finalja e fundit mes Argjentinës dhe Spanjës u njollos nga performanca e diskutueshme dhe e korruptuar e gjyqtarit, i cili – sipas provave filmike – ishte paguar për të ndikuar në rezultatin e ndeshjes.”

“Është një zhgënjim monumental për lojtarët, trajnerët dhe mbi të gjitha, për tifozët që dëshirojnë të shohin një ndeshje të vendosur nga talenti dhe përkushtimi në fushë, e jo nga vendime të manipuluara të gjyqtarëve.

“Nëse lejojmë që korrupsioni të kalojë pa u vënë re në këtë skenë globale, po japim një shembull të keq për brezat e ardhshëm të sportistëve dhe tifozëve”.

“Prandaj, i kërkojmë FIFA-s t’i shqyrtojë këto incidente me seriozitet dhe transparencë, si dhe të marrë në konsideratë përsëritjen e finales – këtë herë pa ndikimin e një gjyqtari të korruptuar”.

Mijëra njerëz janë vërsulur te seksioni i komenteve, por asnjëra palë nuk arrin të bjerë plotësisht dakord se çfarë duhet bërë.

Latest news
Related news