Partneriteti me UP-në: Artistët e rinj në garë për Prince Caffe (VIDEO)

Nga aroma e kafesë tek kreativiteti i artit dy botë që këtë të mërkurë u bashkuan në një nismë të përbashkët.

Prince Caffe, në kuadër të Devolli Corporation, dhe Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës, kanë zyrtarizuar një partneritet që synon të sjellë në jetë talentin e studentëve përmes realizimit të koleksioneve unike, të dedikuara për brendin e njohur të kafesë.

Ky projekt parasheh përfshirjen e studentëve në një garë krijuese, ku punimet më të spikatura do të bëhen pjesë e Prince Caffe, duke u shpërndarë më pas në tregun vendor dhe rajonal.

Për të motivuar talentët e rinj, janë paraparë edhe tre çmime: 1000 euro për vendin e parë, 750 për të dytin dhe 500 për vendin e tretë një nxitje për inovacionin mes studentëve.

Ky partneritet shihet edhe si një dëshmi e angazhimit të korporatës në kuadër të përgjegjësisë sociale. Përmes kësaj nisme, arti i studentëve pritet të arrijë në çdo shtëpi, duke u kthyer në një formë vlerësimi dhe promovimi për risitë e tyre.

Palët kanë lënë të hapur mundësinë që ky bashkëpunim të kthehet në një traditë të përvitshme, duke krijuar një urë të qëndrueshme mes arsimit dhe industrisë. /Klankosova.tv

Latest news
Related news