Vendimet i mori, por e drejta nuk i zgjati shumë.
Bekim Shehu, nga fshati Maxharrë i Komunës së Malishevës dhe njëherësh pronar i Kompanisë “Muri Vinkëll” që prodhon lloje të ndryshme muri që nga viti 2013, është në luftë ligjore me zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Isa Dukaj, zëvendësdrejtor në Agjencinë për Pronësi Industriale, sipas Shehut ua bëri të padrejtë.
Krejt historia nisi pasi Kompania “Muri Vinkëll” mori të drejtën e dizajnit industrial për 6 produkte në gusht të 2020-ës, që do të thotë se kishte të drejtën ekskluzive për përdorimin e dizajnit të regjistruar dhe ndalimin e palëve të treta për ta përdorur atë pa lejen e tij.
Ndonëse vendimet u lëshuan nga ministria, atyre nuk u zgjati shumë dhe në dhjetor të 2021-ës, të 6 vendimet që u morën, u shfuqizuan me vendim të Isa Dukajt.
Sipas asaj që thuhej në arsyetimet e shfuqizimit, Agjencia për Pronësi Industriale konstatoi se kërkesa për shpalljen e pavlefshmërisë së dizajnit industrial ishte konform nenit 54, ku përcaktohet se kjo kërkesë mund të dorëzohet gjatë kohës së mbrojtjes apo pas përfundimit të mbrojtjes së dizajnit industrial.
Në anën tjetër, Bekim Shehu, pronar i “Murit Vinkëll”, tha për Kiks Kosovën, që shfuqizimet e vendimeve të tij që u lëshuan nga vet ministria, janë të dyshimta.
Kjo ngase, sipas tij, zëvendësdrejtori i Agjencisë për Pronësi Industriale, në një mbledhje të Odës Ekonomike të Kosovës, i tha Shehut që lënda e tij është specifike dhe të gjitha vendimet e tij do të shfuqizoheshin.
Kësisoj Bekim Shehu përfundoi duke e paditur Isa Dukajn.
Më 4 korrik të 2023-ës, u intervistua një zyrtar i Agjencisë i cili në deklaratën e tij tha që me caktimin e pozitës së tij si anëtar komisioni, nga ana e drejtorit Dukaj ka qenë qëllim që ai të marrë një vendim kundërligjshëm që të shfuqizojë vendimin për Kompaninë Muri Vinkëll. Tutje në deklaratën e tij, zyrtari e kishte cilësuar veprimin e zëvendës drejtorit të kundërligjshëm.
Por për krejt këto akuza, refuzoi të flasë në detaje zëvendës Drejtori Dukaj.
Ai përmes telefonit për Kiksin tha vetëm që nuk është e vërteetë dhe që çdo veprim i tij ka qenë sipas ligjit, ndonëse konkretisht refuzoi të flasë për secilën akuzë veç e veç.
Ndonëse, duke u bazuar në Ligjin për Dizajn Industrial thuhet që dizajni duhet të jetë risi, megjithatë në asnjë nen nuk sqarohet qartë nëse fjala është vetëm për Kosovë apo edhe ndërkombëtarisht.
Dhe kjo krijon paqartësi se për çfarë risie në të vërtetë bëhet fjalë në këtë ligj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 qershor të 2025-ës, hodhi poshtë kallëzimin penal të Bekim Shehut ndaj Isa Dukaj, kjo sepse sipas tyre nuk ishte arritur të argumentohej përtej dyshimit të arsyeshëm se i dyshuari Dukaj me veprimet e tij të ketë realizuar veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Por që më 13 qershor të 2025-ës, Bekim Shehu nuk u ndal me kaq dhe ndaj këtij vendimi paraqiti ankesë në Prokurorinë e Apelit.
Më 25 qershor, 12 ditë pas, Prokuroria e Apelit e aprovoi si të bazuar këtë ankesë.
Bekim Shehu, në 2022-ën, paditi edhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Por nga Gjykata Komerciale e Kosovës, për Kiksin thanë që lënda ende nuk është shqyrtuar.
The post Patentoi dizajnin, iu kthye mbrapsht se ‘s’ishte i pari’, flet zyrtari i MINT (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.



