Për nder të 250 vjetori, disa pasaporta amerikane me fytyrën e Donald Trumpit

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka prezantuar një numër e limituar të pasaportave amerikane, e cila për herë të parë përmban fotografinë e një presidenti në detyrë.

Dokumenti është lansuar në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump publikoi në rrjetin e tij social pamjet e dizajnit të ri, ku në një nga faqet e pasaportës shfaqet fotografia e tij pranë tavolinës historike Resolute Desk, me Deklaratën e Pavarësisë në sfond dhe nënshkrimin e tij poshtë, transmeton Klankosova.tv.

Pasaportat e reja do të jenë në dispozicion nga 6 korriku, por vetëm në sasi të kufizuara, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Sipas autoriteteve amerikane, dokumenti mund të merret vetëm nga shtetasit amerikanë dhe aplikimi nuk mund të bëhet online apo me postë.

Të interesuarit duhet të caktojnë takim fizik në Agjencinë e Pasaportave në Uashington, ndërsa në dispozicion do të jenë edhe disa ngjarje të veçanta për aplikime.

Ky është rasti i parë në histori që një president në detyrë përfshihet në dizajnin e një pasaporte amerikane.

Versioni i ri vjen pas një sërë iniciativash të administratës Trump për të shënuar 250-vjetorin e SHBA-së, përfshirë edhe plane për monedha përkujtimore dhe dokumente të tjera zyrtare me emrin ose imazhin e presidentit.

Pasaportat standarde amerikane aktualisht përmbajnë ilustrime nga historia e vendit, si zbarkimi në Hënë dhe monumente simbolike si Statuja e Lirisë.

Nuk është bërë e ditur nëse qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mes versionit standard dhe atij përkujtimor.

Latest news
Related news