Portugalia shokohet nga Kongo, Ronaldo s’dhezë me të parën

Në një ndeshje që nisi me pritshmëri për dominim nga Portugalia, skuadra e drejtuar nga Roberto Martinez është detyruar të ndahet me barazim 1:1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në sfidën hapëse të Grupit K në Kupën e Botës 2026, të zhvilluar në “NRG Stadium” në Houston, Texas.

Portugezët e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh shumë herët me golin me kokë të Joao Neves në minutën e gjashtë. Portugezët kontrolluan plotësisht pjesën e parë, duke mbajtur rreth 80% të posedimit të topit dhe duke krijuar presion të vazhdueshëm në zonën kundërshtare.

Megjithatë, pavarësisht dominimit, Portugalia nuk arriti ta thellonte rezultatin. Në fund të pjesës së parë, Republika Demokratike e Kongos përfitoi nga një goditje nga këndi, ku Yoane Wissa mbeti i lirë në zonë dhe arriti të mposhtte portierin Diogo Costa, duke vendosur baraspeshën 1:1.

Në pjesën e dytë, Portugalia shtoi ritmin e lojës dhe kërkoi më shumë thellësi në sulm. Martínez aktivizoi Francisco Conceiçao për të sjellë energji dhe shpejtësi në krahët e fushës, ndërsa Cristiano Ronaldo pati disa mundësi të rrezikshme, por pa arritur të shënojë. Sulmuesi veteran gjithashtu hyri në histori si lojtari më i vjetër që merr pjesë në një Kupë Bote, transmeton Klankosova.tv.

Portugalia mendoi se kishte gjetur golin e fitores me Joao Cancelo, por VAR ndërhyri duke e anuluar për pozicion jashtë loje. As hyrja e Gonçalo Ramos nuk ndryshoi fatin e ndeshjes, pasi mbrojtja afrikane rezistoi deri në fund.

Pas këtij barazimi, Portugalia mbetet me një pikë në grup dhe do të përballet me Uzbekistanin në Houston, përpara sfidës përfundimtare ndaj Kolumbisë.

Latest news
Related news