Pritshmëritë për sezonin turistik, operatorët optimistë pavarësisht rritjes së çmimeve

Teksa ka përfunduar muaji i parë i verës, pritshmëritë për turizmin mbeten të larta. Operatorët e sektorit parashikojnë një fluks të konsiderueshëm turistësh të huaj, çka pritet të sjellë më shumë të ardhura si për bizneset, ashtu edhe për arkën e shtetit.

“Edhe këtë vit, si çdo vit tjetër, lëvizja e turistëve në Shqipëri vazhdon të jetë masive. Turizmi po zhvillohet në të gjitha segmentet, qoftë ai bregdetar, kulturor apo malor. Nuk kemi pasur ndonjë shqetësim të veçantë, përkundrazi, kemi një rritje të qëndrueshme të fluksit të vizitorëve”, tha Besnik Vathi, Kryetar i Shoqatës së Tur-Operatorëve, shkruan vizionplus.tv, transmeton klankosova.tv.

Nga akomodimi në hotele, transporti, restorantet e deri te konsumimi i produkteve të detit, pushimet këtë verë pritet të kushtojnë më shumë. Sipas operatorëve, rritja e kostove të bizneseve është reflektuar edhe në çmimet për turistët.

“Nëse flasim për jugun e vendit, situata mbetet e njëjtë si çdo vit. Kërkesa është shumë e lartë dhe kapacitetet mbushen shpejt. Bizneset detyrohen të punësojnë staf sezonal me paga më të larta për të siguruar fuqi punëtore, gjë që rrit kostot e tyre dhe, si pasojë, edhe çmimet për turistët”, tha Vathi.

Sipas përfaqësuesve të sektorit, një nga zhvillimet që mund të ndikojë në uljen e kostove në të ardhmen është vënia në funksion e Aeroportit të Vlorës.

“Me hapjen e Aeroportit të Vlorës, ardhja e turistëve do të jetë më e lehtë dhe fluksi do të shpërndahet më mirë përgjatë gjithë bregdetit. Kjo do të krijojë më shumë konkurrencë, do të ulë kostot operative dhe, në afat më të gjatë, pritet të ndikojë edhe në uljen e çmimeve, veçanërisht në jug të vendit”, tha ai.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë pesë muajve të parë të vitit në Shqipëri kanë mbërritur 3.7 milionë turistë të huaj, një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Latest news
Related news