Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, sot në Klan Kosova ka folur rreth rrugëtimit politik dhe bashkimit me ish-presidenten Vjosa Osmani, bartëse e listës së LDK-së si kandidate për shefe të shtetit.
Në emisionin ‘Kosova Today’, Reshitaj e ritheksoi se asnjëherë nuk ka qenë në Lëvizjen Vetëvendosje, ashtu siç po zhvillohet propaganda në rrjete sociale, por ka qenë pjesë e koalicionit për më pak se një vit.
“Unë nuk kam tradhtuar bindjet e mija politike, unë s’kam qenë kurrë e majtë, unë s’kam qenë kurrë në Lëvizjen Vetëvendosje. Asnjë vit të plotë kam qenë në këtë koalicion. Aty nuk pash seriozitet dhe vlerësim të personaliteteve që kanë dije dhe njohin punën. Pash lojëra politike, që s’janë të shëndosha dhe s’janë në të mirë të qytetarëve.”
Përkundër mundësisë që të qëndronte në partneritet me partinë në pushtet, Reshitaj tha se si rezultat i bindjeve politike ka vendosur të bashkohet me Vjosa Osmanin e LDK-në, vendim ky për të cilin tha se qytetarët po ia dëshmojnë se e vlerësojnë, transmeton Klankosova.tv
“Derisa në rrjete sociale ke propagandë, linçime, ofendime të llojllojshme, kur takohemi me qytetarët marrim përkrahje, ndjejmë energji dhe entuziazëm që në këtë vend këto propaganda po e irritojnë qytetarin. Këto ditë, mora vlerësime nga dy qytetarë në Mitrovicë e Prizren, për kontributin që kam dhënë dhe më thanë që e kanë vlerësuar se i jam bashkuar LDK-së në këtë periudhë.”
Në anën tjetër, ajo tregoi se paraprakisht, pasi i kishte dhënë votën për presidente Vjosa Osmanit në vitin 2021 duke dalë kundër qëndrimit të partisë së saj, kishte qëndruar në Kuvend si deputete e vetme e pavarur, raporton klankosova.tv.
“Kam qëndruar për 4 vite si deputete e vetme e pavarur, por brenda grupit parlamentar të opozitës. Nuk kam pranuar asnjë ofertë”, tha ajo.
Pikërisht në atë kohë, Reshitaj tregoi se kishin nisur linçimet ndaj saj nga partia në pushtet.
“Kjo parti që ishte në pushtet deri tani më konsideronte heroinë për veprimet që kisha bërë, për një natë në momentin që unë vazhdova me Vjosa Osmanin dhe u riktheva në LDK, do thotë për një natë nga një deputete me një kontribut të madh dhe pa asnjë përfitim personal por edhe politik u ktheva në një tradhtare, një grua të linçuar jashtëzakonisht shumë”.
Në fund, kandidatja e LDK-së, tha se ishte pikërisht kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili nuk e donte më vazhdimin e bashkëpunimit politik me ish-presidenten Vjosa Osmani
“Pikërisht Albin Kurti ka qenë ai që nuk ka dashur të vazhdoj bashkëpunimin me Vjosa Osmanin, unë e kam kuptuar e kam nuhatur dhe gjithë ato manovrat politike, strategjitë që i bënë në ditët e fundit për mua kanë qenë të padrejta”, shtoi ajo. /Klankosova.tv



