Rreth 1.9 miliardë besimtarë mysliman e kanë shënuar Fitër Bajramin, festën më të rëndësishme në kalendarin islamik e cila e shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Si gjithnjë, njëri prej shënimeve më të rëndësishëm të festës ka qenë në qytetin e shenjtë të Mecca-s në Arabinë Saudite ku dhjetëra mijëra besimtarë nga mbarë bota morën pjesë në ritualet tradicionale të festës.
Por, përderisa pjesa më e madhe e besimtarëve e kanë pritur Bajramin në paqe dhe siguri, rreth 2 milionë banorë të Rripit të Gazës janë duke e kaluar festën në frikë nga sulmet izraelite dhe me mungesa të ushqimit dhe pijes. Sipas njoftimeve, nga orët e mëngjesit si pasojë e sulmeve izraelite, në pjesë të ndryshme të Gazës janë vrarë së paku 20 persona ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar.
Madje, disa prej imamëve në Gaza kanë thënë se ky Bajram, të cilin shumica e familjeve në Gaza e kalojnë pa ushqim dhe duke përkujtuar të dashurit e vrarë gjatë vitit të kaluar, do të duhej të shënohet si “Bajrami i pikëllimit” për popullin palestinez.
Njëkohësisht, qindra mijëra qytetarë të Turqisë, të cilët që gati dy javë vazhdojnë me protesta anti-qeveritare, të nxitura me arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, kanë vazhduar me demonstrata në të gjitha qytetet e mëdha të vendit, duke thënë se nuk planifikojnë të ndalojnë përderisa Imamoglu , për të cilin opozitarët thonë se u arrestua me akuza të rreme, nuk lirohet. Ndërkohë, disa zyrtarë u kanë sugjeruar mediumeve turke se autoritetet në Ankara do të mund të ndryshojnë taktikë pas Bajramit duke u bërë “më agresiv” ndaj protestuesve.
Festa u shënua në të gjitha vendet me popullatë myslimane, përfshirë edhe rajonin tonë ku, përveç Kosovës, Bajrami u shënua edhe në Luginën e Preshevës, Shqipëri, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Mali të Zi.



