Sami Boroci rikthehet te “dashuria e parë”, Prishtina e Re zyrtarizon rikthimin e tij

Prishtina e Re ka konfirmuar rikthimin e Sami Borocit në klub, ku do të marrë detyrën e Drejtorit Menaxhues dhe Sportiv, duke u rikthyer pas një viti angazhim te FC Malisheva.

Boroci, një nga themeluesit e klubit dhe një prej figurave më të rëndësishme në rrugëtimin e tij, rikthehet në Prishtinën e Re pasi kontribuoi në një sezon të suksesshëm me Malishevën, e cila e mbylli kampionatin si nënkampione Superligës, transmeton Klankosova.tv.

Në njoftimin zyrtar, Prishtina e Re e cilësoi Borocin si një nga arkitektët kryesorë të projektit që, brenda periudhës 2020–2025, e ngriti klubin nga kategoritë më të ulëta të futbollit kosovar deri në elitën e futbollit.

Me rikthimin e Borocit, drejtuesit e klubit synojnë të nisin një fazë të re zhvillimi, me objektiv rikthimin dhe konsolidimin e Prishtinës së Re në elitën e futbollit të Kosovës.

Po ashtu, një nga prioritetet kryesore do të mbetet investimi në akademinë e klubit dhe krijimi i një modeli të qëndrueshëm për zhvillimin e futbollistëve të rinj, si pjesë e projektit afatgjatë të klubit nga kryeqyteti.

Latest news
Related news