Sharaa arrin në Nju-Jork, presidenti i parë sirian në takimet e OKB-së nga viti 1967

Presidenti i përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, arriti në Nju-Jork për të marrë pjesë në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pjesëmarrja e parë e një presidenti sirian që nga viti 1967, raportoi të hënën herët agjencia shtetërore e lajmeve.

Sharaa – ish-udhëheqës në grupin Al-Qaeda për të cilin dikur ofroheshin 10 milionë dollarë shpërblim për ta kapur – shënoi një fitore diplomatike në maj, kur u takua në Riad të Arabisë Saudite me homologun amerikan, Donald Trump, raporton agjencia “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara më pas ia heqën shumicën e sanksioneve Sirisë dhe administrata e presidentit Trump e ka shprehur mbështetjen e saj për përpjekjet e Sharaa-s për unifikimin dhe stabilizimin e vendit.

Sharaa pritet që ta mbajë fjalimin e tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme, e cila e hap sesionin e saj të 80-të të martën.

Rebelët e udhëhequr nga grupi i Sharaa-s e rrëzuan nga pushteti në dhjetorin e vitit të kaluar ish-presidentin Bashar al-Assad.

Latest news
Related news