SHBA ka kërkuar ndihmën e Ukrainës për mbrojtje nga dronët

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Ukrainës ndihmë për mbrojtjen e aleatëve të Gjirit kundër dronëve iranianë.

Ai tha se partnerët e Ukrainës kanë bërë kërkesa, përfshirë edhe kërkesa nga pala amerikane. Zyrtarët e Pentagon nuk kanë pranuar të komentojnë.

Zelensky theksoi se Ukraina do të ofrojë ndihmë vetëm nëse kjo nuk e dobëson mbrojtjen e saj dhe nëse sjell përfitime diplomatike për Kievin. Ai la të kuptohet se Ukraina mund të shkëmbejë dronët interceptues me sistemet mbrojtëse ajrore Patriot të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u mbrojtur nga raketat balistike ruse.

Lufta në Lindjen e Mesme ka rritur shqetësimet se Ukraina mund të dëmtohet nëse aleatët shpërqendrohen nga konflikti. Ekziston rreziku i mungesës së raketave interceptuese dhe mundësia që Rusia të përfitojë nga rritja e çmimit të naftës, e cila është një nga burimet kryesore të financimit të luftës së saj.

Zelensky ka zhvilluar biseda me përfaqësues nga vendet e Gjirit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini, Jordania dhe Kuvajtin, duke premtuar hapa konkretë për mbrojtjen e bazave ushtarake dhe infrastrukturës civile nga sulmet me dronë.

Ukraina prej vitesh është përballur me sulme me dronë Shahed, dronë vetëvrasës të bazuar në model iranian, të cilët janë të vështirë për t’u interceptuar pa armatimin dhe përvojën e duhur.

Ai tha se Ukraina mund të rrisë prodhimin e dronëve interceptues deri në 10 mijë në muaj. Megjithatë, çdo transferim i armëve jashtë vendit kërkon miratim politik të nivelit të lartë në Ukrainë, ndërsa sfidë mbetet trajnimi për përdorimin e tyre.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se qendrat e trajnimit në Ukraina janë aktualisht të angazhuara me forcat e armatosura dhe civilët.

Burimi: BBC

Latest news
Related news