Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar kontrollet në trafik gjatë javës së kaluar, duke u fokusuar te drejtuesit e motoçikletave dhe skuterëve.
Si rezultat i aksionit, janë shqiptuar 60 gjoba për shkelje të rregullave të komunikacionit, ndërsa janë konfiskuar 30 motoçikleta dhe skuterë, transmeton Klankosova.tv.
Sipas policisë, aktiviteti është zhvilluar në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe skuterëve”, i realizuar në periudhën 29 qershor-5 korrik.
Nga shkeljet e evidentuara, 29 gjoba janë shqiptuar për drejtim të motoçikletës pa patentë shoferi, 21 për qarkullim me motoçikleta të paregjistruara, tetë për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse, ndërsa dy gjoba janë vendosur për kundërvajtje të tjera.
Policia bëri të ditur se 30 motoçikleta janë konfiskuar kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt.
Në të njëjtën kohë, autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të motoçikletave që të respektojnë rregullat e trafikut, të mos tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, të përshtatin ngasjen me kushtet e rrugës dhe të përdorin gjithmonë helmetën mbrojtëse.



