Derisa Kombëtarja e Argjentinës vazhdon garën në Kupën e Botës 2026 pas kualifikimit në çerekfinale, Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) është përballur me një zhvillim serioz jashtë fushës.
Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) ka nisur një hetim paraprak për dyshime mbi pastrim parash dhe transaksione financiare të dyshimta që lidhen me federatën.
Raporti thekson se hetimi ka nisur gjatë vitit 2025 dhe aktualisht është në fazën e mbledhjes së provave dhe informacionit mbi operacionet financiare të AFA-së, e cila drejtohet nga Claudio “Chiqui” Tapia.
Hetimi po udhëhiqet nga prokurorët federalë Patrick Gushue, pjesë e Njësisë për Integritetin Bankar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, dhe Christopher Ting nga Washington DC. Në ekipin hetues është përfshirë edhe prokurori Michael Berger nga Distrikti Jugor i Floridës.
Autoritetet amerikane thuhet se po shqyrtojnë transaksione financiare me vlerë rreth 300 milionë dollarë, për të përcaktuar nëse ato përbëjnë vepra penale si pastrim parash ose mashtrim që bien nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara, shkruan Marca transmeton Klankosova.tv.
Në kuadër të hetimit, hetuesit kanë zhvilluar edhe një takim rreth treorësh me biznesmenin Guillermo Tofoni, ndërsa po kërkojnë edhe persona që mund të kenë njohuri të drejtpërdrejta për aktivitetet financiare të AFA-së gjatë periudhës kur ajo drejtohej nga Claudio Tapia dhe Pablo Toviggino.
Raporti përmend edhe kompaninë TourProdEnter LLC, në pronësi të producentit Javier Faroni, e cila shërbente si ndërmjetëse në administrimin e të ardhurave nga kontratat e sponsorizimit dhe marrëveshje të tjera të federatës.
Sipas dokumenteve të analizuara nga La Nación, kjo kompani ka administruar të paktën 260 milionë dollarë të ardhura të AFA-së, ndërsa rreth 57 milionë dollarë thuhet se janë transferuar te individë dhe kompani të ndryshme pa një shpjegim të qartë për arsyen e pagesave.
Dokumentet përmendin gjithashtu se fondet kanë kaluar përmes llogarive në disa banka amerikane, përfshirë Citibank, Bank of America, JP Morgan, PNC Bank dhe Synovus.
Sipas raportimit, një pjesë e transfertave dyshohet se janë kryer drejt kompanive të lidhura me persona që përfitonin ndihmë sociale në Argjentinë, ndërsa transaksione të tjera lidhen me Pablo Toviggino, familjarë të tij dhe persona të tjerë të afërt me federatën.
Hetuesit amerikanë po shqyrtojnë edhe mundësinë e marrjes në pyetje të ish-zyrtarëve të qeverisë së presidentit Javier Milei, të cilët mund të kenë pasur informacione lidhur me bashkëpunimin e AFA-së me TourProdEnter LLC.
Megjithatë, deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë penale ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit apo drejtuesve të saj. Hetimi ndodhet ende në fazën paraprake dhe synon të përcaktojë nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për hapjen e një hetimi penal zyrtar në Shtetet e Bashkuara.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Argjentina po tërheq vëmendje edhe për ecurinë sportive në Kupën e Botës 2026, ku siguroi kualifikimin në çerekfinale pas fitores 3:2 ndaj Egjiptit, një ndeshje e shoqëruar me polemika për vendimet e sistemit VAR.



