Franca dhe Arabia Saudite do të mbledhin dhjetëra udhëheqës botërorë të hënën për të grumbulluar përkrahje për një zgjidhje me dy shtete mes Izraelit e palestinezëve. Disa vende pritet të njohin një shtet palestinez – veprim që mund të sjellë kundërpërgjigje të ashpra nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori I Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, tha se vendi i tij dhe Shtetet e Bashkuara do ta bojkotojnë këtë samit, duke e përshkruar atë si “cirk”. “Ne nuk mendojmë se ai është i dobishëm. Ne mendojmë se në të vërtetë po e shpërblen terrorizmin” – tha të enjten para gazetarëve diplomati izraelit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se vendi i tyre është duke e shqyrtuar aneksimin e një pjese të Bregut të pushtuar Perëndimor si kundërpërgjigje të mundshme. Përpos kësaj mase, ata thanë se po shqyrtohen masa dypalëshe specifike kundër Francës.
Administrata amerikane gjithashtu ka paralajmëruar për pasoja të mundshme për ata që marrin masa kundër Izraelit, përfshirë Francën, presidenti i së cilës, Emmanuel Macron, do ta drejtojë samitin që do të mbahet në Nju-Jork.
Ky samit, që do të mbahet para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që gjithashtu mblidhet këtë javë, vjen pas fillimit të një sulmi tokësor të forcave izraelite në Qytetin Gaza, kur perspektiva për armëpushim pas gati dy vjetëve luftë është e dobët.
Këtë muaj, Asambleja e Përgjithshme mbështeti një deklaratë me shtatë faqe, në të cilën përvijohen “hapa të prekshëm, të kufizuar në kohë dhe të pakthyeshëm” drejt një zgjidhjeje me dy shtete, por dokumenti gjithashtu e dënoi Hamasin dhe bëri thirrje që grupi të dorëzohet dhe të çarmatoset.
Këto përpjekje nxitën qortime të menjëhershme nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i cilësuan ato si të dëmshme dhe marifet për publicitet.
“Deklarata e Nju-Jorkut nuk është një premtim i mjegullt për të ardhmen e largët, por më tepër një rrugë që fillon me prioritetet kryesore: një armëpushim, lirimi i pengjeve dhe hyrja e papenguar e ndihmave humanitare në Gaza” – tha të enjten para gazetarëve ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot.
“Porsa të arrihen armëpushimi dhe lirimi i pengjeve, hapi i ardhshëm është një plan për ditën pas këtyre, që do të jetë në agjendën e diskutimeve të së hënës” – njoftoi kryediplomati francez.
Të dielën, shtetësia palestineze u njoh nga Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Portugalia. Franca dhe pesë shtete të tjera pritet që gjithashtu të njohin formalisht një shtet palestinez të hënën.



