Tajvani zbulon gjashtë balona kineze, ndërsa presioni ushtarak vazhdon

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të premten se kishte zbuluar gjashtë balona kineze pranë ishullit, gjatë 24 orëve të fundit, një nga shifrat më të larta të regjistruara deri më tani. 

Së bashku me balonat, nëntë avionë ushtarakë kinezë, gjashtë anije luftarake dhe dy anije zyrtare, u zbuluan gjatë së njëjtës periudhë pranë Tajvanit.

Balonat kineze vërehen rregullisht mbi ujërat pranë Tajvanit, por shifra e së premtes është një nga më të lartat e regjistruara deri më tani, raporton AFP.

Ndërsa Tajvani e quan veten një komb sovran, Kina pretendon se ishulli është pjesë e territorit të saj dhe ka kërcënuar se do të përdorë forcën për ta vënë nën kontroll të saj.

Vitet e fundit, Kina ka rritur vendosjen e avionëve luftarakë dhe anijeve luftarake rreth ishullit dhe ka kërkuar të fshijë Tajvanin nga skena ndërkombëtare, duke e bllokuar pjesëmarrjen e saj në forumet globale.

Tajvani është një pikë e mundshme për një luftë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, që është mbështetëse më e rëndësishme e ishullit dhe furnizuese më e madhe e armëve.

Megjithatë, stili transaksional i diplomacisë së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur shqetësime për gatishmërinë e tij për të mbrojtur ishullin.

Trump, gjatë fushatës së tij zgjedhore, ka sugjeruar që Tajvani duhet t’i paguajë Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen dhe njëkohësisht ka akuzuar ishullin për vjedhjen e industrisë së çipave në SHBA.

Ndërsa Taipei ka rritur shpenzimet për ushtrinë e tij viteve të fundit, ishulli me 23 milionë banorë ende mbështetet shumë në blerjet e armëve nga SHBA, si mbrojtje kundër Pekinit.

Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, ka kërkuar të qëndrojë në anën e administratës amerikane dhe të tregojë përkushtimin e tij për të investuar më shumë në mbrojtjen e ishullit.

Latest news
Related news