Të paktën 24 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve të shumta që vazhdojnë të shkatërrojnë rajonin juglindor të Koresë së Jugut.
Shumica e viktimave janë persona të moshës 60-70 vjeçare, thonë autoritetet, duke shtuar se rreth 26 persona janë plagosur, prej të cilëve 12 janë në gjendje kritike. Më shumë se 23,000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
“Kriza e paprecedentë po rishkruan librat e rekordeve për zjarret më të këqija në historinë e kombit tonë”, tha presidenti në detyrë Han Duck-soo.
Zjarret djegën një tempull 1,300-vjeçar në qytetin Uiseong, ku shumë relike kulturore u hoqën dhe u transportuan në një vend më të sigurt.
Të nxitura nga erërat e forta dhe të thata, zjarret u përhapën në qarqet fqinje të Gyeongbuk, Uiseong, Andong, Cheongsong, Yeongyang dhe Sancheong.
Të martën, agjencia kombëtare e zjarrit e ngriti krizën në nivelin më të lartë të reagimit ndaj zjarrit.
Të mërkurën, një helikopter zjarrfikës u rrëzua në malet e Uiseong, me ç’rast humbi jetën piloti.
Mbi 5,000 ushtarë dhe zjarrfikës janë angazhuar në përpjekjet për të ndaluar flakët.
Zjarret aktuale janë të parat që shkaktojnë kaq shumë viktima në Korenë e Jugut dhe janë të treta më të mëdhatë në historinë e vendit për sa i përket sipërfaqes së shkatërruar. Për shumë banorë, pamjet e zjarreve dhe shkatërrimit janë përshkruar si apokalipsi.



