Të shtëna në ahengje familjare, Policia konfiskon katër armë në Prizren dhe Suharekë

Policia e Kosovës ka zhvilluar disa operacione në rajonin e Prizrenit, ku ka arritur të konfiskojë katër armë zjarri në raste të ndara, pas raportimeve për përdorim të armëve gjatë ahengjeve familjare.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë javës së fundit në Prizren dhe Suharekë janë sekuestruar tri pistoleta dhe një armë automatike e tipit AK-47, transmeton Klankosova.tv.

Dy nga rastet kanë nisur pas informacioneve të pranuara nga qytetarët, të cilët kanë raportuar për të shtëna me armë gjatë organizimeve familjare.

Në tri raste, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar procedura penale për veprat “Mbajtje, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Policia ka bërë të ditur se përdorimi i armëve gjatë festave dhe ahengjeve paraqet rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve, pasi mund të shkaktojë pasoja të rënda.

Autoritetet kanë apeluar tek qytetarët që çdo rast i posedimit apo përdorimit të paligjshëm të armëve të raportohet menjëherë, duke theksuar se parandalimi i armëve ilegale mbetet prioritet në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Latest news
Related news