Drejtori i përgjithshëm i qumështores “Vita” në Istog, Artan Spahija, ka njoftuar se kompania ka vendosur të pezullojë grumbullimin e qumështit dhe të mbyllë përkohësisht fabrikën, duke fajësuar ministrin e Bujqësisë, Armend Mujën, për situatën e krijuar.
Sipas Spahijës, vendimi është marrë nga bordi i kompanisë dhe, sipas tij, është ndër vendimet më të vështira në historinë e “Vitës”.
“Ti je ai shkatërruesi që po e shkatërron një pune 27-vjeçare. Si bord, sot kemi marrë vendimin më të rëndë që kemi marrë ndonjëherë. Nga sot nuk do të pranojmë qumësht dhe e mbyllim fabrikën deri në një vendim të radhës”, deklaroi ai.
Ai kritikoi ashpër pushtetin e Albin Kurtit, duke thënë se mungesa e reagimit po rrezikon vendet e punës, fermerët dhe zinxhirin e prodhimit të qumështit, transmeton Klankosova.tv.
“Na vjen keq për punëtorët tanë, të cilët për më shumë se 25 vjet kanë dhënë kontribut të madh. Nuk po mendohet për familjet e tyre, për kreditë që kanë, e as për fermerët që nesër duhet ta hedhin qumështin”, u shpreh Spahija.
Drejtori i “Vitës” theksoi se kompania, sipas tij, plotëson të gjitha standardet e kërkuara të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.
“Ne nuk jemi kriminelë, ne kërkojmë drejtësi. Kompania jonë është kompania e vetme e certifikuar. Ne kemi certifikatat e hallallit, ne i kemi kontrollet, ne i kemi analizat. I kemi këto që ato kompani në Bosnje e Maqedoni besoj që s’i kanë, e këta i duan më shumë”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
Në fund të adresimit, Spahija u kërkoi falje fermerëve për pasojat që mund të sjellë pezullimi i punës, duke ia atribuuar përgjegjësinë institucioneve.
“Fermerë, ju kërkojmë ndjesë dhe falje. Jemi rritur bashkë me ju. Por ministri në detyrë është ai që po ju mbyll dhe po ju çon drejt falimentimit, jo ne. Shpresojmë që pas disa ditësh të kthehemi në punë, por nëse nuk ka zgjidhje, fabrika do të mbetet e mbyllur”, tha Spahija.



