Tokio promovon “shorcet” në punë për burra, gratë ankohen për “ngacmim me qimet e këmbëve”

Me rritjen e temperaturave gjatë kësaj vere, gjithnjë e më shumë burra në Japoni po shkojnë në punë me pantallona të shkurtra, pas një nisme të autoriteteve të Tokios për të lehtësuar përballimin e vapës.

Qeveria Metropolitane e Tokios po i inkurajon punonjësit të heqin dorë nga kostumet dhe kravatat tradicionale, duke zgjedhur veshje më të rehatshme si bluza, atlete dhe pantallona të shkurtra, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, e prezantoi në muajin prill nismën “Tokyo Cool Biz”, duke zgjeruar fushatën e njohur për kursimin e energjisë dhe përshtatjen me temperaturat e larta, e cila tashmë është bërë traditë verore në Japoni.

Megjithatë, gati katër muaj pas hyrjes në fuqi të rekomandimit, politika e re ka nxitur reagime të ndryshme.

Disa punonjës e mirëpresin ndryshimin, duke thënë se ndihen më rehat në vendin e punës, ndërsa të tjerë e konsiderojnë të padrejtë ndaj grave, pasi ato ende pritet të mbajnë geta kur ekspozojnë një pjesë të këmbëve.

Madje, disa gra kanë përdorur termin “sunehara”, i përkthyer si “ngacmim me qimet e këmbëve”, për të përshkruar sikletin që ndjejnë kur shohin qimet në këmbët e kolegëve meshkuj.

“Ne duam t’u japim njerëzve më shumë mundësi për t’u përballur me vapën e madhe, jo t’u themi çfarë të veshin. Nuk duhet të ketë problem për sa kohë që veshja në punë nuk është fyese për askënd”, tha për BBC-në Noboru Watanabe, zyrtar për mjedisin në Qeverinë Metropolitane të Tokios.

Një anketë e realizuar në qershor nga “Gorilla Clinic” tregoi se 53.5 për qind e të anketuarve ishin kundër veshjes së pantallonave të shkurtra në punë gjatë verës, ndërsa 46.5 për qind e mbështesnin rekomandimin.

Sipas klinikës, arsyeja kryesore e kundërshtimit, si për burrat ashtu edhe për gratë, lidhej me shqetësimet për pamjen fizike dhe qimet në trup. Gratë përbënin shumicën e të anketuarve, duke sugjeruar se ato janë më pak të prira të pranojnë ekspozimin e këmbëve të kolegëve meshkuj.

Drejtori i “Gorilla Clinic”, Akifumi Funatsu, tha se ka vërejtur rritje të numrit të burrave që kërkojnë heqje me laser të qimeve në këmbë.

“Shumë klientë nuk vijnë vetëm për arsye estetike, por sepse e konsiderojnë si çështje të etikës shoqërore kur veshin pantallona të shkurtra. Duket se ekziston perceptimi se burrat duhet të kenë më pak qime në këmbë”, tha ai.

Yuriko Koike e kishte nisur për herë të parë këtë ndryshim të kodit të veshjes në vitin 2005, kur ishte ministre e Mjedisit e Japonisë. Atëherë ajo lansoi fushatën kombëtare “Cool Biz”, me qëllim uljen e konsumit të energjisë duke inkurajuar punonjësit të vishnin këmisha me mëngë të shkurtra në vend të kostumeve të rënda, transmeton Klankosova.tv.

Pas tërmetit dhe cunamit shkatërrues të vitit 2011, qeveria e zgjeroi iniciativën me programin “Super Cool Biz”, për të kursyer energji si në vendet e punës, ashtu edhe në shtëpi.

Ashtu si shumë vende të tjera, Japonia po përjeton temperatura rekord, të shoqëruara me rritje të çmimeve të energjisë.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka paralajmëruar për vapë ekstreme këtë verë dhe ka nisur të përdorë termin “kokusho-bi”, që përshkruan ditët kur temperatura kalon 40 gradë Celsius.

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë për Menaxhimin e Zjarreve dhe Fatkeqësive, shtatë persona humbën jetën nga goditja e nxehtësisë, ndërsa 4,580 persona u shtruan në spital gjatë periudhës 6-12 korrik.

Përveç këshillave për hidratim dhe përdorimin e kondicionerëve, japonezët po përdorin gjithnjë e më shumë produkte për t’u mbrojtur nga vapa, si rroba me ventilatorë të integruar, peshqirë të lagësht njëpërdorimësh, çadra që bllokojnë rrezet UV dhe ventilatorë portativë.

Ekspertët theksojnë se organizmit i duhen disa javë për t’u përshtatur me temperaturat e larta dhe rekomandojnë që masat parandaluese ndaj goditjes së nxehtësisë të nisin që gjatë sezonit të shirave, para mbërritjes së vapës së madhe verore. Gjithashtu, lagështia e lartë në Japoni e vështirëson avullimin e djersës, duke e bërë më të vështirë ftohjen natyrale të trupit. /Klankosova.tv

Latest news
Related news