Futbollisti Bleart Tolaj ka adresuar hutinë që është krijuar rreth situatës së tij, duke thënë se është lojtar i Gjilanit, dhe jo i Ballkanit.
Ai kërkoi ndjesë dhe mori përgjegjësinë për konfuzionin që u shkaktua në publik kur Gjilani e kishte prezantuar si lojtar të tyre, e pastaj Ballkani kishte dalë me njoftim se ai e ka rinovuar kontratën me ta për dy vjetët e ardhshëm.
“Dua t’i drejtohem opinionit publik për të sqaruar situatën që është krijuar ditëve të fundit rreth meje. Së pari, dua të bëj të qartë se unë zyrtarisht jam lojtar i Gjilanit. Jam i lumtur për këtë hap në karrierën time dhe i përkushtuar maksimalisht për të dhënë gjithçka për fanellën e klubit”, ka shkruar Tolaj në Facebook.
“Ndjej obligim ta pranoj se përgjegjësia për konfuzionin e krijuar bie mbi mua. Më vjen keq që situata u zhvillua në këtë mënyrë dhe që krijoi paqartësi në opinion. Nuk kam pasur asnjëherë qëllim të krijoj polemika apo të vendos ndonjë klub në një pozitë të vështirë”.
“Ballkani, duke e parë situatën e krijuar dhe duke menduar mbi të gjitha për të mirën time dhe vazhdimësinë e karrierës sime, ka treguar mirëkuptim dhe më ka liruar. Ky është një veprim që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë dhe do t’i jem gjithmonë mirënjohës klubit, drejtuesve, stafit, bashkëlojtarëve dhe tifozëve për gjithçka që kemi përjetuar së bashku”.
Ai njoftoi se do të angazhohet në dy takimet e radhës si lojtar i Ballkanit në Conference League, e pastaj do të kalojë te Gjilani.
“Me mirëkuptimin e të gjitha palëve, do të angazhohem për ta ndihmuar Ballkanin në dy ndeshjet e radhës në Conference League. Pas përfundimit të këtij angazhimi, do t’i bashkohem plotësisht Gjilanit, ku do të jem i fokusuar maksimalisht për të dhënë më të mirën dhe për të justifikuar besimin që më është dhënë”.
“Falënderoj sinqerisht të dy klubet për korrektësinë dhe respektin që kanë treguar ndaj meje. Ballkani do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time dhe jam i bindur se marrëdhënia jonë do të mbetet gjithmonë e bazuar në respekt, mirënjohje dhe miqësi. Do të mbesim gjithmonë miq, duke i uruar njëri-tjetrit vetëm suksese në rrugëtimin tonë”.
“Kërkoj mirëkuptim nga të gjithë për situatën e krijuar dhe shpresoj që me këtë sqarim të mbyllet çdo keqkuptim. Tani fokusi im është vetëm te futbolli, puna dhe respektimi i çdo detyrimi që kam marrë përsipër”.



