Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ndërmarrë një veprim të fortë ndaj Universitetit të Harvardit, duke ngrirë një shumë prej 2.2 miliardë dollarësh në grante shumëvjeçare dhe duke kërkuar një falje publike nga institucioni prestigjioz për, sipas saj, lejimin e antisemitizmit në kampus.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi të martën se Trump dëshiron që Harvard të kërkojë falje për ngjarjet e fundit që lidhen me trajtimin e studentëve hebrenj dhe sjelljet që ajo i quajti “të papranueshme”. Ajo përmendi një dëshmi të ish-presidentes së universitetit, Claudine Gay, e cila u vu në qendër të kritikave pas komenteve të saj në një seancë dëgjimore në Kongres, ku u shpreh se thirrjet për gjenocid ndaj hebrenjve “mund” të shkelin rregullat e universitetit, “në varësi të kontekstit”.
“Presidenti beson se Harvard duhet t’u kërkojë falje studentëve amerikanë hebrenj për lejimin e një sjelljeje kaq të tmerrshme,” u shpreh Leavitt, raporton CNN.
Përveç kërkesës për falje, administrata Trump ka vendosur një sërë kushtesh për rikthimin e financimit, përfshirë: eliminimin e programeve për diversitet, barazi dhe përfshirje (DEI), ndalimin e përdorimit të maskave gjatë protestave në kampus, si dhe zbatimin e një sistemi punësimi të bazuar në merita.
Në një deklaratë tjetër, Trump ngriti edhe çështjen e taksimit të universitetit, duke vënë në dyshim përjashtimin e tij nga taksat për shkak të përfshirjes në çështje politike. Zëdhënësja Leavitt nuk dha detaje, por e kaloi përgjegjësinë te Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS).
“Pse duhet taksapaguesit amerikanë të financojnë një universitet që ka mbi 50 miliardë dollarë në fondacion, kur njëkohësisht lejon përhapjen e antisemitizmit?” shtoi Leavitt.
Harvard është universiteti i parë që refuzon kërkesat e Presidentit Donald Trump, të cilat kërkojnë ndryshime të mëdha në universitet për të mbajtur financimet federale prej 2.2 miliardë dollarësh. Kjo ka çuar në ngrirjen e fondeve, të cilat universiteti i ka cilësuar si të paligjshme dhe të paskushtetueshme.



