Universiteti i Arizonës refuzon kërkesat e administratës Trump për financime federale

Universiteti i Arizonës është bërë institucioni i shtatë nga nëntë universitetet elitare në SHBA që ka refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje të propozuar nga administrata e Presidentit Donald Trump, e cila kushtëzon fondet federale me përmbushjen e disa kërkesave politike dhe ideologjike.

Në një deklaratë të publikuar nga universiteti u tha se nuk do të nënshkruajnë “Paktin për Ekselencë Akademike”, duke theksuar përkushtimin ndaj lirive akademike, pavarësisë institucionale dhe financimeve të bazuara në meritë, transmeton klankosova.tv.

Refuzimi i Universitetit të Arizonës vjen pasi edhe gjashtë universitete të tjera e kanë refuzuar tashmë këtë pakt: Brown, MIT, University of Southern California, University of Pennsylvania, University of Virginia dhe Dartmouth College.

Organizata të njohura arsimore si Federata Amerikane e Mësuesve (AFT) dhe Shoqata Amerikane e Profesorëve Universitarë (AAUP) kanë shprehur shqetësim për marrëveshjen, duke e cilësuar si një tentativë për të blerë përkrahje ideologjike përmes fondeve publike.

Që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump në janar 2025, administrata ka shkurtuar ndjeshëm fondet për kërkime shkencore, shpesh duke e lidhur këtë me qëndrime politike të universiteteve, si protesta pro-palestineze apo iniciativat për diversitet.

The post Universiteti i Arizonës refuzon kërkesat e administratës Trump për financime federale appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news