Ushtria amerikane sulmon një anije tjetër me drogë nga Venezuela, 3 të vrarë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se ushtria amerikane ka goditur përsëri një anije të dyshuar për transportimin e drogës nga Venezuela, duke vrarë tre persona.

“Këtë mëngjes, me urdhrin tim, forcat ushtarake amerikane kryen një sulm të dytë kundër karteleve të drogës dhe narko-terroristëve të identifikuar jashtëzakonisht të dhunshëm në zonën e përgjegjësisë së Komandës Jugore. Sulmi ndodhi ndërsa këta narko-terroristë të konfirmuar nga Venezuela ishin në ujëra ndërkombëtare duke transportuar narkotikë të paligjshëm (Armë Vdekjeprurëse për të Helmuar Amerikanët!) në rrugën e tyre drejt SHBA-së”, tha Trump në rrjetin e tij social Truth Social.

Ai paralajmëroi se “këto kartele droge jashtëzakonisht të dhunshme” përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, politikën e jashtme dhe interesat jetësore të SHBA-së.

“Tre terroristë u vranë në sulm. Asnjë anëtar i forcave amerikane nuk u plagos në këtë sulm”, theksoi presidenti amerikan dhe paralajmëroi se forcat amerikane do të “ndjekin” terroristët që përpiqen të kontrabandojnë drogë.

Ai deklaroi se “aktivitetet e paligjshme” të këtyre karteleve kanë pasur një “efekt shkatërrues” në komunitetet amerikane për dekada të tëra, duke vrarë miliona qytetarë amerikanë.

Ky sulm erdhi dy javë pas një aksioni të ngjashëm ushtarak në të cilin , sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit, u shkatërrua një anije që transportonte drogë nga Venezuela dhe 11 persona humbën jetën në atë rast.

Latest news
Related news