Vjosa Osmani mesazh të prerë për 7 qershorin: Zgjedhim mes sigurisë nga Amerika dhe varësisë nga armiqtë e Kosovës

Në fjalimin përmbyllës të fushatës në Prishtinë, Presidentja e 6-të e Kosovës dhe kandidatja e LDK-së për mandatin e dytë të presidentes, Vjosa Osmani, e ka vendosur votën e 7 qershorit si një ultimatum për orientimin gjeopolitik të vendit.

Osmani akuzoi forcat politike aktuale për përpjekje për relativizimin e marrëdhënieve me Washingtonin, duke e shpallur LDK-në si të vetmen garanci të aleancës jetike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në zgjedhjet e 7 qershorit, qytetarët nuk do të zgjedhin vetëm një opsion politik. Ata zgjedhin edhe përgjigjen ndaj një pyetjeje vendimtare: a do të mbetet Kosova e ankoruar përgjithmonë në aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo do të lejojë që ky orientim historik të vihet në diskutim”, deklaroi hapur Osmani.

Në aspektin strategjik, kandidatja për presidente shpalosi pozicionin e prerë sa i përket pavarësisë dhe sigurisë energjetike, duke sulmuar rrugët që e lënë Kosovën të ekspozuar ndaj palëve armiqësore.

“Sot garanca e lidhjes së Kosovës me gazin amerikan është pikërisht Lidhja Demokratike e Kosovës. Sepse kur ne na duhet të zgjedhim mes sigurisë energjetike që ta jep Amerika dhe varësisë energjetike nga armiqtë e Kosovës, për ne nuk ka dilema në zgjidhjen tonë e as në rrugën tonë. Ne i zgjedhim Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani, duke shtuar se Amerika është garancia për FSK-në, për paprekshmërinë e kufijve dhe të ardhmen euroatlantike.

Përballë asaj që e quajti “propagandë dhe manipulime”, Osmani ftoi të gjithë qytetarët, jo vetëm votuesit e LDK-së, që të refuzojnë politikën aktuale dhe të bashkohen rreth vizionit të kryetarit Lumir Abdixhiku.

“Po ju thërrasim edhe juve që ndiheni të zhgënjyer. Po ju thërrasim edhe juve që ndiheni të lënë anash e të papërfaqësuar nga politica aktuale… Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Lumir Abdixhiku si kandidat për Kryeministër qëndron në krye të një vizioni të qartë për të ardhmen e vendit… dhe nuk ka krenari më të madhe se sa të qëndrojmë krah për krah në këtë rrugëtim”, tha ajo.

Në mbyllje, Osmani bëri thirrje që vota e 7 qershorit të jetë një vendim për shpirtin e Republikës.

“Vendosim nëse Kosova do të sundohet nga ligji apo nga një parti. Nëse institucionet do të jenë të lira apo të nënshtruara”.

Latest news
Related news