Njeriu që dokumentoi para botës Masakrën e Reçakut dhe që pa nga afër krimet e kryera në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, William Walker, mbeti i habitur nga deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se do të kishte bërë spastrim etnik në Kosovë.
“O Zot, ku e ka thënë ajo këtë deklaratë? Mendoj se është ndoshta një prej deklaratave më fashiste që kam dëgjuar prej vitesh. Nuk është vetëm budallallëk”, deklaroi ai për gazetën Express transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, nëse ministrja serbe e ka bërë vërtet një deklaratë të tillë, atëherë vihet në pikëpyetje jo vetëm gjykimi i saj, por edhe njerëzia e saj.
“Të thuash se Millosheviqi duhej ta kishte nisur gjenocidin më herët… Thjesht nuk mund ta besoj që dikush mund të thotë një budallallëk të tillë. Nëse vërtet e ka thënë këtë, mendoj se dikush duhet të shikojë racionalitetin e saj dhe cilësinë e njerëzisë së saj”, u shpreh Walker.
Ish-diplomati amerikan shkoi edhe më tej, duke theksuar se vetë pranimi i gatishmërisë për të kryer spastrim etnik përbën një deklarim që glorifikon një krim lufte.
“Spastrimi etnik është krim lufte. Nëse ajo thotë se do ta kryente atë edhe më herët se Millosheviqi, i cili ishte një nga kriminelët më të mëdhenj të Evropës në atë kohë, atëherë çfarë mund të themi për të? Kjo e provon shumë qartë se edhe ajo është një kriminele lufte”, deklaroi Walker.
Në fund, Walker tha se mbetet i tronditur nga retorika që vjen nga Beogradi, duke shprehur shqetësimin se deklarata të tilla tregojnë se Serbia nuk ka reflektuar ende për të kaluarën.
“Jam i shokuar. Po përpiqem ta përthith atë që sapo më thatë. Është deklaratë e një krimineleje të sinqertë lufte. Shpresoj që ajo të mos ketë kurrë mundësinë t’i zbatojë këto ide. Duket se Beogradi nuk ka ndryshuar shumë”, përfundoi Walker.



