Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, e ka quajtur Tajvanin “çështjen më të rëndësishme” në marrëdhëniet Kinë-ShBA gjatë një telefonate me Presidentin amerikan, Donald Trump. Media shtetërore kineze raporton se Xi i tha Trumpit të jetë “i kujdesshëm” kur furnizon me armë ishullin, duke shtuar se ai i kushton “rëndësi të madhe” lidhjeve me Uashingtonin dhe shpreson që të dyja palët të gjejnë mënyra për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, raporton BBC.
Trumpi e cilësoi telefonatën e së mërkurës si “të shkëlqyer” dhe “të gjatë dhe gjithëpërfshirëse”. Telefonata pasoi një mori vizitash nga udhëheqësit perëndimorë, përfshirë kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, në Kinë në muajt e fundit, me shpresën për të rivendosur marrëdhëniet me ekonominë e dytë më të madhe në botë. Vetë Trump do të vizitojë Kinën në prill, një udhëtim që ai tha se e priste me shumë padurim.
Ai shtoi se Pekini po shqyrtonte blerjen e 20 milionë tonëve sojë amerikane, nga 12 milionë tonë sa blen aktualisht. “Marrëdhënia me Kinën dhe marrëdhënia ime personale me Presidentin Xi është jashtëzakonisht e mirë dhe të dy e kuptojmë sa e rëndësishme është ta mbajmë kështu”, shkroi ai në një postim në “Truth Social”.
Përveç Tajvanit dhe sojës, Trump dhe Xi diskutuan luftën e Rusisë në Ukrainë, situatën aktuale në Iran dhe blerjen nga Kina të naftës dhe gazit amerikan, shkroi presidenti amerikan.



