Zeka: Kosova po rrezikon marrëdhëniet me ShBA-në duke refuzuar projektin e gazit amerikan

Kosova po dërgon sinjale negative ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) duke mos iu bashkuar projekteve rajonale për gazin e lëngshëm natyror (LNG), ka vlerësuar drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online.

Sipas tij, përfshirja në projektet e LNG-së amerikane nuk ka vetëm rëndësi energjetike, por edhe strategjike e gjeopolitike, ndërsa paralajmëron se mungesa e vullnetit nga Kosova mund të ndikojë negativisht në raportet me aleatin kryesor të vendit.

Zeka tha se zgjerimi i rrjetit të gazit të lëngshëm natyror amerikan në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor ka qenë prioritet i administratave amerikane për më shumë se një dekadë.

“Shtrirja e rrjetit të gazit të lëngshëm natyror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtetet e Evropës, të përfshij këtu edhe Kosovën edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mbetet njëra prej aspekteve më të rëndësishme të administratës aktuale amerikane. Po gjithsesi, e ka ruajtur një farë konsistence edhe në administratën paraprake, edhe ndoshta ka 13 vite që mbaj mend që kjo temë të ketë qenë temë me prioritet për administratën amerikane përgjatë disa administratave. Edhe është për keqardhje që Qeveria e Republikës së Kosovës kjo në detyrë, po natyrisht edhe ajo domethënë para saj që kishte mandat të plotë edhe nga viti 2021 e tutje, nuk arrijnë të kuptojnë këtë aspekt të rëndësishëm, këtë aspekt strategjik për administratën amerikane. E konfirmuar në një deklaratë që Departamenti i Shtetit kishte bërë, që kjo çështje mbetet ndoshta ndër shtyllat kryesore të vendosjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shteteve të kontinentit të Evropës”, tha Zeka, për EO.

Ai tha se pas nisjes së luftës në Ukrainë, vendet evropiane kanë reduktuar varësinë nga gazi rus dhe janë orientuar drejt gazit amerikan.

“Prej nisjes së konfliktit në Ukrainë, ose nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës, shtetet e Evropës në masë të madhe, shumë shpejt kanë bërë kalimin nga varësia në gazin rus që kishin deri në atë kohë, në një prezencë gjithnjë e më të madhe të gazit të lëngshëm natyror. Ajo çka ka ndodhur në ndërkohë është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur edhe kapacitetet prodhuese, domethënë edhe tashmë diku mbi 65% të furnizimit të përgjithshëm të Evropës vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që do të thotë që shtetet e Evropës kanë arritur që të kuptojnë që përtej furnizimit me një burim energjetik, domethënë çështja e gazit të lëngshëm natyror është aspekt strategjik i vendosjes edhe i zhvillimit të marrëdhënieve të tyre me Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Duke komentuar mosinteresimin e Kosovës për këtë projekt, Zeka tha se vendi po jep një mesazh të gabuar ndaj Uashingtonit.

“Mesazh jo të mirë. Edhe në një opinion domethënë të të ngarkuarës me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, domethënë që Kosova po vonohet. Edhe u tha pastaj, u përsërit edhe nga ana e një zyrtari tjetër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E kemi thënë ne si Odë Amerikane, ne besojmë që cilësia e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të pësojë, do të ketë ndikim domethënë në aspektin negativ në këtë rast. Kjo mungesë e vullnetit të Kosovës që t’i bashkohet kësaj, kësaj nisme edhe nismës së rajonit. Se tashmë i kemi të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, shtetet të cilat kanë pasur marrëdhënie jo të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë zotuar që do të zhvillojnë infrastrukturën e nevojshme për importin e gazit të lëngshëm natyror, derisa Kosova është i vetmi vend në Ballkan i cili i thotë ‘jo’ kësaj nisme”, tha ai.

Zeka tha se Kosova kishte mundësinë të shprehte gatishmëri për t’iu bashkuar kësaj iniciative edhe në takimet e zhvilluara në Uashington.

“Domethënë, tashmë nuk është as sekret, në shkurt ka pasur në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një takim të asaj që njihet si Këshilli i Dominimit Energjetik, që është themeluar në kuadër të Shtëpisë së Bardhë, pra në kuadër të institucionit më të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kabineti ynë qeveritar ka qenë i përfaqësuar aty edhe rrjedhimisht Kosova nuk është zotuar, nuk ka dhënë zotimin e nevojshëm krahas shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo është e çuditshme, nuk arrin askush që të kuptojë në plotni se pse Qeveria e Kosovës refuzon të bëjë një hap të tillë. Besoj që në të ardhmen ne do të kemi një dëshirë edhe një interes që t’i bashkohemi një nisme të tillë, aq më tepër duke e ditur se ne kemi varësi të madhe në importet energjetike nga shtetet të cilat mund të mos kenë marrëdhënie diplomatike as ndërshtetërore me Republikën e Kosovës, as nuk e njohin. Po në të njëjtën kohë, ne inkurajojmë që t’i themi “po” importit të burimit të rëndësishëm energjetik nga shteti, nga aleati më i rëndësishëm të cilin e kemi, që janë Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Ai paralajmëroi se dëmi më i madh mund të jetë në aspektin strategjik dhe në raport me synimet euro-atlantike të Kosovës.

“Përtej asaj që nuk arrijmë të diversifikojmë në tërësi domethënë burimet tona të furnizimit me energji, meqenëse gazi i lëngshëm natyror përfshihet si një prej burimeve më të rëndësishme energjetike tashmë, domethënë në aspektin e fuqizimit të entitetit tonë shtetëror, besoj që këtu do të ishte humbja më e madhe. Do të humbnim përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugëtimin tonë drejt integrimit euro-atlantik edhe natyrisht domethënë, edhe do të rrezikonim edhe prioritetet e tjera shtetërore të cilat i kemi, siç e përmenda anëtarësimin në institucionet euro-atlantike. Meqenëse po thuhet që gjithnjë e më shumë, edhe nga eksponentë tjerë të jetës shoqërore në Kosovë, po edhe të jetës politike, jo ata të lidhur me pushtetin, që ky mund të jetë rreziku i mundshëm”, tha ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara në rajon përmes projekteve të gazit të lëngshëm natyror (LNG).

Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka shprehur më shumë interesim për “gazifikimin e qymyrit” vendor.

“Këtë [gazifikimin e qymyrit] mund ta bëjmë me një kompani amerikane, për shembull”, ka deklaruar më herët Kurti.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë vazhdimisht thirrje për përfshirjen e Kosovës në projektin e LNG-së amerikane. E ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Anu Prattipati, ka deklaruar në fillim të qershorit se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji, duke cituar të dhënat e Doganës së Kosovës sipas të cilave vendi ka shpenzuar 735 milionë euro për importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.

Sipas këtyre të dhënave, importi i energjisë është rritur nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.

Prattipati ka vlerësuar se, nëse çmimet dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga furnizimi energjetik i vendeve fqinje.

Ndërkohë, Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina kanë hyrë në iniciativa të rëndësishme me kompani amerikane dhe me SHBA-në për zgjerimin e rrjetit të gazit, përfshirë projektet që synojnë reduktimin e varësisë nga furnizimet ruse. /EO

Latest news
Related news