Zelensky nuk do të kandidojë për një mandat të dytë pas luftës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk do të kandidojë për një mandat të dytë në detyrë pasi të përfundojë lufta në shkallë të plotë e Rusisë, tha ai në një intervistë me Axios.

Komentet e Zelensky-it vijnë mes përpjekjeve të vazhdueshme për paqe për t’i dhënë fund luftës, megjithëse Rusia refuzon të bjerë dakord për një armëpushim dhe vazhdon sulmet e saj ndaj Ukrainës.

“Nëse e përfundojmë luftën me rusët, jam gati të mos e zgjidh mandatin e dytë sepse nuk është qëllimi im – zgjedhjet”, tha Zelensky në një fragment të publikuar të intervistës.

“Doja shumë që në një periudhë shumë të vështirë të isha me vendin tim, të ndihmoja vendin tim. Qëllimi im është të përfundoj luftën”.

Dy muaj më parë, ekipi i presidentit u përball me një reagim të ashpër pasi u përpoq t’u hiqte pavarësinë institucioneve kryesore kundër korrupsionit – një veprim që shkaktoi protestat e para në rrugë që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë dhe u pa nga kritikët si një tjetër përpjekje për të konsoliduar pushtetin.

Në intervistat e tij të fundit me median amerikane, Zelensky gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në rast të një armëpushimi nëse situata e sigurisë e lejon.

Kur u pyet nëse do të angazhohej për të mbajtur zgjedhjet nëse presidenti rus Vladimir Putin binte dakord për një armëpushim disa-mujor, presidenti ukrainas u përgjigj “po”.

Zelensky i tha Axios se gjatë takimit të tij më 23 shtator me presidentin e SHBA-ve Donald Trump në New York, ai tha se Ukraina mund ta përdorte periudhën e armëpushimit për të mbajtur zgjedhje dhe se ai mund t’ia “jepte këtë sinjal parlamentit”.

Latest news
Related news