150 kamionë ndihmash janë mbledhur brenda Gazës, sipas OKB-së sasia është e vogël

Izraeli tha se 150 kamionë me ushqim u mblodhën nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe agjenci të tjera brenda Gazës të mërkurën, më 23 korrik, por OKB-ja paralajmëron se sasia e ndihmës që arrin tek palestinezët është e vogël.

Izraeli theksoi se edhe 800 kamionë të tjerë me ushqim presin të merren, por agjencitë kanë fajësuar qeverinë izraelite për pengimin e shpërndarjes së ndihmës, raporton BBC.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha dje se edhe 10 persona kishin vdekur nga kequshqyerja brenda 24 orëve – duke e çuar numrin total të vdekjeve të tilla në 111, që nga 7 tetori 2023.

Një mjek në Gazë, i cili punon me një organizatë bamirëse mjekësore në Mbretërinë e Bashkuar, tha se palestinezët janë në një situatë “katastrofike”.

“Nuk është se jemi afër urisë, po e jetojmë atë”, i tha doktor Aseel BBC-së.

Më shumë se 100 agjenci ndihme, përfshirë Save the Children dhe Medecins Sans Frontieres, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët “duke dhënë alarmin” për atë që ata e quajnë “uri masive” në të gjithë Gazën.

Ato akuzojnë Izraelin për një “rrethim” dhe thonë se nuk po lejon shpërndarjen e ushqimit brenda Gazës.

Deklarata e agjencive thotë se “po shohin kolegët dhe partnerët e tyre të humbasin para syve të tyre”.

Fushata ajrore e Izraelit në Gazë nisi në tetor të vitit 2023 si përgjigje ndaj sulmit që Hamasi e kreu në jug të këtij vendi.

Latest news
Related news