Lufta Ukrainë-Rusi po merr rrjedhë të re. Goditjet e Ukrainës me dronë mbi rafineritë ruse kanë shkaktuar mungesë të karburanteve në Krime, por edhe në disa qytete të Rusisë.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Milazim Koci tha se synimi i Ukrainës është që të ndërprejë logjistikën ruse në Krime.
“Sipas raportimeve të agjencive botërore, në fushëbetejë Ukraina dhe Rusia mbajnë pozicionet, nuk ka ndonjë dyshim të madh. Por, ajo që duket se ka ndryshuar është ofenziva e Ukrainës me dronë dhe projektil tjerë, por dronë të specializuar që duket se sipas ekspertëve thonë se u janë inkorporuar elemente të IA dhe godasin me saktësi të jashtëzakonshme. Informacionet e fundit thonë se ka mungesë të benzinës në Krime, ka mungesë të ushqimeve, barnave. Synimi i Ukrainës duket se është ta ndërprejë furnizimin e Krimesë, ta ndërprejë logjistikën ruse në Krime dhe pastaj ti godasin edhe caqet ushtarake”, tha Koci.
Misha Pumo që jeton në Moskë tha se përveç Krimesë me mungesë të karburanteve po përballet edhe kryeqyteti rus.
“Në këtë drejtim një situatë domethënëse është kur guvernatori i Krimesë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në shkallë rajonale. Moska nuk e fsheh vështirësinë dhe problemin që ka shkaktuar goditjet e vazhdueshme me dronë të logjistikës që çon në Krime dhe situata në kahun energjetik është agravuar shumë, ka kufizime të furnizimeve sidomos të mjeteve private me benzinë dhe naftë, kanë vënë kuotën mos gaboj 20 litra për makinë për momentin. Ky është një realitet jo vetëm për Krimenë, por në mbarë Rusinë edhe në Moskë ka kufizime të furnizimit me naftë dhe benzinë. Kam qenë prezent me një shokun tim, shkuam të furnizoheshim në dy pika nuk kishte benzinë vetëm naftë, pastaj në një pikë tjetër u gjet kishte një rradhë të vogël. Burimi i këtyre problemeve janë goditjet e Ukrainës mbi rafineritë e naftës”, tha ai.



