Pothuajse 100 persona kanë vdekur e më shumë se 150 janë lënduar në një klub nate në Santo Domingo, kryeqytetin e Republikës Domenikane si pasojë e shembjes së çatisë së objektit.
Numri i viktimave mund edhe të rritet ndërkohë.
Ngjarja ka ndodhur në klubin e quajtur “Jet Set” në orët e hershme të mëngjesit të së martës sipas kohës lokale, gjatë koncertit të këngëtarit Rubby Perez dhe bendit të tij, këngëtar i njohur, i cili është në mesin e viktimave.
Në mesin e viktimave është edhe një ish-lojtar i njohur i basebollit si dhe një guvernatore e një province.
Ekipet emergjente po vazhdojnë të punojnë për të nxjerrë nga rrënojat ndonjë të mbijetuar eventual. Rreth 400 pjesëtarë të ekipeve emergjente janë angazhuar në operacionin e shpëtimit.
Juan Manuel Mendez, Drejtori i Qendrës për Operacione Emergjente ka thënë të shreson se njerëzit e bllokuar nën rrënoja ende janë të gjallë. Mendez ka thënë se autoambulancat kanë bërë më se 100 udhëtime drejt spitaleve të rajonit duke shtuar se me raste, nëpër to ishin më shumë se 1 pacient.
Njëri nga anëtarët e një grupi muzikor që po performonte në këtë klub ka thënë se fillimisht kanë menduar se po ndodhë tërmet. Nuk dihen shkaqet e shembjes së çatisë së këtij klubi të natës.
Luis Abinader, presidenti i Republikës Domenikane, vend ky në Karaibe, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe të të prekurve.



