Kina evakuon gati dy milionë njerëz ndërsa tajfuni i fuqishëm po afrohet

Një tajfun i fuqishëm ka goditur Kinën, duke detyruar autoritetet të evakuojnë rreth dy milionë persona nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet dhe erërat e forta.

Tajfuni “Bavi”, i dyti që prek Kinën brenda një jave, ka goditur fillimisht qytetin bregdetar Taizhou dhe më pas zonën e Wenzhou, duke sjellë reshje intensive dhe dëme të konsiderueshme.

Stuhia shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 1 mijë kilometrash në pikën e saj më të gjerë dhe ka prekur edhe ishuj të largët japonezë, ndërsa reshje të dendura janë regjistruar edhe në Tajvan.

Sipas mediave shtetërore kineze, më shumë se 1.7 milionë persona janë evakuuar në provincën Zhejiang, ndërsa mijëra të tjerë janë larguar nga zonat me rrezik të lartë në provincat përreth, shkruan A2CNN.

Megjithëse “Bavi” është dobësuar dhe tashmë klasifikohet si një stuhi e fortë tropikale, autoritetet paralajmërojnë se ajo mbetet e rrezikshme për shkak të reshjeve të shumta që shoqërojnë sistemin atmosferik.

Më herët, stuhia shkaktoi viktima edhe në Filipine, ku rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga reshjet kanë lënë të vdekur të paktën 17 persona.

Latest news
Related news