Sarandë: Sherr për një biçikletë me qira, arrestohet 43-vjeçari

Një konflikt i nisur për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete ka përfunduar me plagosjen e administratorit të subjektit që jep biçikleta me qira në zonën e “Syrit të Kaltër”.

Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 Një 43-vjeçar dyshohet se ka goditur me sende të forta administratorin, 27 vjeç. Ky i fundit ka pësuar dëmtime dhe fraktura, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, shkruan vizionplus.tv, transmeton klankosova.tv.

Ndërkohë janë preceduar penalisht 3 shtetas të përfshirë në konflikt, mes tyre dhe administratori i subjektit.

“Salla Operative e Komisariatit të Policisë Sarandë ka marrë njoftim për një konflikt në parkimin e “Syrit të Kaltër”. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë shoqëruar në komisariat të gjithë personat e përfshirë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se, rreth orës 12:00 të ditës së sotme, në vendin e quajtur “Parkimi i Syrit të Kaltër”, gjatë një konflikti për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete, shtetasi A. H., 43 vjeç, ka goditur me sende të forta shtetasin A. L., 27 vjeç, administrator i subjektit, i cili ka pësuar dëmtime (fraktura) dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet dyshohet se në konflikt janë përfshirë edhe shtetasit A. H., 45 vjeç, S. Ç., 20 vjeç.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, shtetasi A. H., 43 vjeç, banues në Kamëz, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ndërsa shtetasit A. H., 45 vjeç, banues në Kamëz (vëllai i të arrestuarit), S. Ç., 20 vjeç, banues në Dërmish, Finiq, dhe A. L., 27 vjeç, banues në Stjar, Delvinë, administrator i subjektit, u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, njofton policia.

Latest news
Related news