Aeroplani bën uljen emergjente, pasagjeri tentoi të hapte derën

Një aeroplan japonez që udhëtonte nga Tokio për në Teksas u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një pasagjer u përpoq të hapte njërën nga dyert e tij gjatë fluturimit.

Fluturimi 114 i ‘All Nippon Airways’ (ANA) u devijua në Seattle disa orë pas ngritjes të shtunën “për shkak të një pasagjeri të padisiplinuar”, tha linja ajrore.

Policia e portit të Seattle-s u tha mediave se ishte njoftuar për një burrë që “u përpoq të hapte dyert e daljes gjatë fluturimit”, raporton BBC.

Burri, i cili nuk u identifikua, “po kalonte një krizë mjekësore” dhe u dërgua më vonë në spital. Nuk bëhet e ditur nëse ai do të përballet me ndonjë akuzë.

“Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit tonë është përparësia jonë kryesore dhe ne përgëzojmë përpjekjet e zbatimit të ligjit vendas për mbështetjen e tyre”, tha ANA në një deklaratë.

Ndërsa aeroplani po priste në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar Seattle-Tacoma, një person i dytë u largua nga aeroplani për “sjellje të padisiplinuar”, thanë autoritetet.

Të dhënat e fluturimit tregojnë se avioni arriti në destinacionin e tij, Aeroportin Ndërkontinental George Bush në Hjuston, të shtunën rreth orës 12:40 sipas orës lokale (17:40 GMT) – katër orë pas kohës së planifikuar të mbërritjes.

Latest news
Related news