Abdixhikut i kërkohet dorëheqja, dy nënkryetarë kërkojnë unitet e pajtimSinjali

Kryetarë degësh që kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të partisë për shkak të rezultatit të dobët zgjedhor dhe kryetari i partisë që kërkon dorëheqjen e kryetarëve të degëve për të njëjtën arsye. Mbrëmë nisi një përçarje e re në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Tri degë të LDK-së po i kërkojnë Lumir Abdixhikut të largohet nga drejtimi i partisë, ndërsa tre kryetarë degësh i dolën në mbrojtje atij. Dy nënkryetarë bënë thirrje për unitet e pajtim.

Mbi 135 mijë votat që i mori Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet fundit parlamentare më 7 qershor nuk e kënaqin partinë më të vjetër në vend. Ajo mori 16.69% të votave dhe sërish renditet e treta – për herë të katërt radhazi.

Mes pakënaqësive për rezultatin – për të cilin edhe kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku e cilësoi pozitiv në një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve – tri degë të kësaj partie kërkuan mbrëmë dorëheqjen e tij.

Dy kërkesa për dorëheqje

Dega e LDK-së në Pejë, komunën e udhëhequr nga nënkryetari i kësaj partie, Gazmend Muhaxheri, njoftoi mbrëmë për një mbledhje që kishin mbajtur dhe se i kishin analizuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit, në të cilën u tha se anëtarët e partisë “kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi”.

“Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja. Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, thuhej në njoftim.
Dhjetë minuta më vonë, edhe dega e LDK-së në Lipjan kërkoi dorëheqjen e Abdixhikut.

Në mbledhjen e mbajtur nga Kryesia e kësaj dege të LDK-së, u tha se është vlerësuar se rezultati i marrë në zgjedhjet e fundit “mbetet larg pritjeve”.

“Rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si thirrje për reflektim, përgjegjësi të përbashkët dhe nisjen e procesit të reformimit dhe riorganizimit të partisë në të gjitha nivelet. Vetëm përmes reflektimit të sinqertë, debatit të hapur dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet mund të rikthehen besimi dhe energjia”, njoftoi dega e LDK-së në Lipjan.

Në këtë frymë, u tha se “Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre” dhe u kërkua një reformim i brendshëm.

Reagimi i Abdixhikut

Një orë më vonë, Abdixhiku reagoi.

“Si nuk u ngopën kurrë?!” shkroi ai në krye të një postimi në Facebook.

Tha se kërkesat për dorëheqjen e tij ishin “të koordinuara”.

“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së”, shkori ndër tjerash Abdixhiku.

Dy degët nga të cilat i shkuan kërkesa për dorëheqje, Abdixhiku tha se performuan dobët në zgjedhje. Pët këtë arsye, ai tha “pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”.

Anëtarësisë së partisë i tha “ta ruajë qetësinë”.

“Ndjej vetëm keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?!”, shkroi ndër tjerash kryetari i LDK-së.

Tjetër kërkesë për dorëheqje

Pak minuta pas këtij reagimi, Abdixhikut i shkoi edhe një kërkesë për dorëheqje.

Dega e dytë e LDK-së në Prishtinë tha se e falënderon kryetarin e partisë për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe kërkon që “me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”.

Mbështetja për Adbxihikun nga tre kryetarë degësh

Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi tha mbrëmë se kërkesat për dorëheqjen e kryetarit të partisë po vinin si “maska” për “mungesën e përgjegjësisë për rezultatet e dobëta nëpër degë”

“Secili duhet së pari ta bëjë llogarinë para anëtarësisë së vet dhe të pyesë veten nëse ka bërë mjaftueshëm për ta bërë LDK-në më të fortë në zgjedhjet e fundit. Në këto zgjedhje, shumë njerëz punuan me mish e me shpirt për rritjen e LDK-së. Prandaj është zhgënjyese kur, në vend të reflektimit dhe mirënjohjes ndaj këtij angazhimi, dikush zgjedh ta dëmtojë LDK-në nga brenda”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Tha se i jep “mbështetje të plotë” kryetarit të partisë.

Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, që drejton degën e LDK-së atje, reagoi gjithashtu mbrëmë dhe tha se kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut e dobësojnë partinë dhe stabilitetin e saj politik.

“Është thellësisht shqetësuese që disa struktura të LDK-së, në vend të një analize të ndershme mbi përgjegjësitë që i takojnë secilit nivel, po përpiqen ta zhvendosin të gjithë barrën e rezultatit vetëm te niveli qendror. Kjo nuk është reflektim politik, por shmangie e hapur e përgjegjësisë. Kush kërkon llogaridhënie nga të tjerët, duhet së pari të japë llogari për rezultatet në terrenin që ka menaxhuar vetë. Është e papranueshme që dikush të vetëshpallet i suksesshëm, ndërsa dështimet t’ua faturojë vetëm të tjerëve”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Ai tha se “LDK sapo ka kaluar zgjedhjet ku është rikonfirmuar kryetari aktual dhe nuk duhet të krijohet precedent që pas çdo procesi zgjedhor të kërkohet dorëheqja e kryetarit”.

Ferati tha se “LDK ka nevojë për unitet të vërtetë, seriozitet dhe vetëkritikë reale, jo për deklarata që ushqejnë ndarje të brendshme apo shërbejnë si platformë për ambicie personale” dhe se “proceset e brendshme do të zhvillohen në organet e partisë, dhe aty secili do të përballet me përgjegjësinë dhe vizionin e vet”.

Edhe kryetari i Degës së LDK-së në Klinë, Alban Raci, reagoi mbrëmë ndaj thirrjeve publike për dorëheqjen e Abdixhikut, duke i cilësuar ato si joetike dhe proceduralisht të papranueshme.

Përmes një postimi në Facebook, Raci tha se kërkesa të tilla mund të vijnë nga analistë, qytetarë apo simpatizantë të partisë, por jo nga drejtues të degëve të LDK-së, të cilët sipas tij kanë pasur mundësi që çështjen ta shqyrtonin në forumet partiake.

“Të kërkosh dorëheqjen e kryetarit të LDK së ‘prej së largu’ nuk është as etike, as proceduralisht e pranueshme, dhe aq më pak në shërbim të fuqizimit të LDK së”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Zëdhënësi i partisë: Duro LDK

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, e komentoi situatën në një tjetër mënyrë. Tha se partia duhet të “durojë”, siç ka ndodhur në disa raste.

“Eh moj LDK-ja jonë… duro. Duro se ke duru’ edhe kur kanë dashtë me t’çky n’tana anët në 1990, 1992, 1994… Duro se ke duru’ edhe kur t’kanë sulmu’ fizkisht, politikisht, e qysh kanë mujt e dijtë në 1999-2004… Duro se ke duru’ kur t’kanë nda e përça sdi sa herë… Duro se ke duru’ kur bijtë e bijat tua ma besnike t’i kanë quajt tradhtarë, shpiuna, bashkëpunëtorë të dreqit e t’birit… Duro se ke duru’ edhe kur Rugovistat e vërtetë t’i kanë njekë stupc prej gjinit tand… Duro se ke duru’ edhe kur “ata” kanë dashtë me t’i shitë për patriot e LDK-ista e Rugovista t’vërtetë… Duro se ke duru’ edhe kur “ata” u shitshin ma LDK se na, që jemi lind e rritë n’Ty, që kemi dhanë shpirt e jetë për Ty… Duro LDK. Duro se gjithë ke duru. Duro se gjithë kemi me duru për Ty. Duro se gjithë kemi me luftu për Ty. Duro Mbretneshë si dje e sot, ashtu edhe nesër!” shkroi ai mbrëmë në një postim në Facebook.

Nënkryetarja thërret për unitet

Doarsa Kica Xhelili, nënkryetare e LDK-së, bëri thirrje për “unitet të sinqetë” dhe “unitet të përgjegjshëm” mbrëmë.

Ky debat, ajo tha se nuk duhet ta kthejë LDK-në në përçarje.

“Po, rezultati kerkon reflektim. Por reflektimi duhet te na bashkoje, jo te na copetoje. Fundja, pergjegjesi kemi te gjithe, njesoj!”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

Ajo kërkoi që LDK-ja të ruhet nga përçarja dhe “kalkulimet e ngushta”, ashtu si nga “tundimi për ta dobësuar në momentin kur ajo duhet të jetë adresë e stabilitetit për Kosovën”.

“Kryetari Abdixhiku ne janar iu nenshtrua Kuvendit te partise dhe mori votebesimin e delegateve. Kjo nuk e mbyll debatin pergjithmone, por e percakton rrugen: debati kryhet brenda”, shkroi Kica Xhelili.

Abdixhiku reagon sërish

Rreth gjysmë ore para mesnatës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku shkroi përsëri.

Këtë herë, ajo i falënderoi “të gjithë kryetarët e degëve, kryetarët e nëndegëve dhe gjithë ata veprimtarë të pafund, për mbështetjen e dhënë”.

Tha se kishte marrë mesazhe mbështetëse “publike e private”.

“E kuptoj se anëtarësia jonë është e shqetësuar. Por sonte ju ftoj në durim. Ka momente kur padrejtësia duket më e madhe se mundi ynë; por janë pikërisht ato momente që e provojnë karakterin tonë. Ky karakter do t’i tejkalojë llogaritë e vogla; siç i ka tejkaluar gjithëherë”, shkroi ai.

Bajrami: Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila e kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë qysh pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, kërkoi zgjedhje të brendshme.

Ajo shkroi sot paradite se “në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme”.

“Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

Bajrami tha se “parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim”.

Pas rezultatit të fundit zgjedhor dhe kërkesave për dorëheqjen e kryetarit, ajo tha se “bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë”.

Nënkryetari tjetër i partisë fton për “pajtim”

Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni tha se LDK-ja ka nevojë për “unitet të plotë”.

“Unë jam plotësisht për bashkëpunimin e ngushtë mes Lumirit, Gazit, Imriut dhe secilit koleg e veprimtar që i rreh zemra për rrugëtimin tonë. Është koha e afrimit të njëri-tjetrit dhe jo e largimit. Secili prej nesh ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe vend të pacenueshëm në këtë strukturë, prandaj asnjë dallim nuk guxon të jetë më i madh se qëllimi ynë i përbashkët”, shkroi ai në një postim në Facebook.

“Ju ftoj të gjithëve të punojmë për pajtim, duke lënë anash çdo gjë që na ndan; për bashkim, duke u rreshtuar rreth vlerave tona të përbashkëta; dhe për urtësi, duke dëshmuar pjekurinë politike që e ka karakterizuar gjithmonë LDK-në. Vetëm të bashkuar, me urtësi dhe me besim tek njëri-tjetri, mund të jemi udhërrëfyesi dhe forca që i duhet vendit tonë. Na priftë e mbara!”, shtoi ai.

Hamiti: Rezultati katastrofal, duhet lidership i ri

Duke kujtuar se LDK-ja për herë të fundit i kishte fituar zgjedhjet parlamentare në vitin 2004, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Muhamet Hamiti shtoi se “prej vitit 2021, në katër palë zgjedhje, ka dalë e treta”. Tha se “ky është rezultat katastrofal për partinë e Ibrahim Rugovës”, ndërsa shkroi në Facebook për zhvillimet e fundit në parti.

“Është koha e fundit tash që LDK-ja të bëjë çmos që të ringrihet. Për këtë i duhet mendim për strategjinë që do të ndjekë për ta rifituar besimin e humbur të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë rënë pre e populizmit, për çka po paguajnë çmim të lartë. Prej pavarësisë, Kosova i ka punët më së keqi sot, në 5-6 vitet e fundit, prej kur sundon lideri populist i Vetëvendosjes majtiste, Albin Kurti”, shkroi ai.

Hamiti tha se “për ta kthyer besimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të vet sot dhe të qytetarëve të Kosovës nesër, e para punë që duhet të ndodhë në LDK janë zgjedhjet e brendshme, konsolidimi i plotë i saj, që do të nxjerrë lidership të ri që, mbi platformë gjithëpërfshirëse, të nisë rrugën e vështirë dhe të gjatë të rimëkëmbjes së LDK-së dhe të Kosovës”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

! function(f, b, e, v, n, t, s) {
if (f.fbq) return;
n = f.fbq = function() {
n.callMethod ?
n.callMethod.apply(n, arguments) : n.queue.push(arguments)
};
if (!f._fbq) f._fbq = n;
n.push = n;
n.loaded = !0;
n.version = ‘2.0’;
n.queue = [];
t = b.createElement(e);
t.async = !0;
t.src = v;
s = b.getElementsByTagName(e)[0];
s.parentNode.insertBefore(t, s)
}(window, document, ‘script’,
‘https://connect.facebook.net/en_US/fbevents.js’);
fbq(‘init’, ‘518751155614285’);
fbq(‘track’, ‘PageView’);

Latest news
Related news