Një grua që hiqej si punonjëse seksi dhe bashkëpunëtori i saj kanë pranuar fajësinë për vdekjen e dy burrave në Angli, të cilëve u administruan doza vdekjeprurëse të një substance qetësuese me qëllim grabitjen.
Adina Mihai, 31-vjeçare dhe Madalin Dumitru, 30 vjeçar u deklaruan fajtorë në Gjykatën e Oksfordit për vrasje nga pakujdesia të një 80-vjeçari nga Gloucestershire dhe një 37-vjeçari nga Oxfordshire.
Ata pranuan gjithashtu dy raste të tjera helmimi ndaj burrave të tjerë, të cilët mbijetuan, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Sipas hetimeve, gjatë periudhës gusht 2024 – korrik 2025, dyshja shënjestronte burra që kërkonin shërbime seksuale.
Pasi merrnin paraprakisht para nga viktimat, Mihai i takonte në banesat e tyre dhe u hidhte fshehurazi në pije, një drogë me efekt qetësues dhe gjumë-induktues.
Viktimat ishin Malcolm King, 80 vjeçar i gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Gloucestershire më 21 gusht 2024, dhe Gary Mouat, 37-vjeçar, i gjetur pa jetë në Banbury më 13 korrik 2025.
Fillimisht, vdekja e King ishte konsideruar jo e dyshimtë për shkak të problemeve të mëparshme shëndetësore, por analizat e mëvonshme toksikologjike zbuluan praninë e substancës së hedhur në pike.
Hetimet çuan në zbulimin e skemës kriminale dhe të dy rasteve të tjera të helmimit, ku viktimat mbijetuan.
Policia britanike tha se nuk ka prova për viktima të tjera, por hetimet mbeten të hapura.
Mihai dhe Dumitru ndodhen në paraburgim dhe pritet të dënohen në seancën e ardhshme. Gjykata u ka bërë të qartë se do të përballen me dënime të rënda.



