Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) e mirëpret çdo tregues pozitiv për ekonominë e Kosovës, përfshirë deklarimin e Qeverisë së Kosovës për rritje ekonomike prej 5.43%. Megjithatë, AKB vlerëson se kjo shifër duhet të analizohet me kujdes dhe në raport me treguesit e tjerë ekonomikë që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në funksionimin e bizneseve.
“Nëse ekonomia ka shënuar rritje prej 5.43%, ndërkohë që inflacioni ka arritur në rreth 7.5%, atëherë lind nevoja për të kuptuar se sa është rritja reale ekonomike dhe sa prej saj është konsumuar nga rritja e çmimeve. Për qytetarët dhe bizneset, rëndësi nuk ka vetëm rritja nominale e ekonomisë, por përmirësimi real i standardit jetësor dhe i aktivitetit ekonomik. AKB konsideron se kjo rritje nuk po reflektohet mjaftueshëm në sektorin privat, në prodhim, eksport, investime të reja dhe rritje të fuqisë blerëse. Përkundrazi, bizneset vazhdojnë të përballen me kosto të larta operative, çmime më të larta të energjisë, mungesë të fuqisë punëtore dhe vështirësi në zgjerimin e aktiviteteve të tyre”, ka thënë Agim Shahini, kryetar i AKB-së.
Po ashtu, ai ka thënë se ekziston perceptimi se një pjesë e kësaj rritjeje mund të jetë nxitur kryesisht nga rritja e konsumit, fondet sociale, remitancat dhe shpenzimet publike, ndërsa ndikimi i sektorëve produktivë mbetet ende i kufizuar.
“Një ekonomi e qëndrueshme nuk mund të mbështetet vetëm në konsum, por duhet të ndërtohet mbi prodhim vendor, investime private, eksport dhe rritje të konkurrueshmërisë. AKB kërkon transparencë të plotë lidhur me strukturën e rritjes ekonomike dhe publikimin e analizave që tregojnë qartë se cilët sektorë kanë kontribuar në këtë rezultat dhe sa përfitime konkrete kanë pasur bizneset dhe qytetarët. Qytetarët nuk jetojnë nga statistikat, por nga fuqia e tyre blerëse. Bizneset nuk zhvillohen nga deklaratat, por nga kushtet reale të tregut. Prandaj, suksesi ekonomik duhet të matet me mirëqenien e qytetarëve, rritjen e investimeve, prodhimit dhe vendeve të punës, e jo vetëm me tregues makroekonomikë”, ka thënë Shahini.
Ai ka shtuar se Kosova ka nevojë për rritje ekonomike reale, të qëndrueshme dhe të ndjeshme për secilin qytetar dhe biznes.



