Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se çdo parregullsi eventuale gjatë procesit zgjedhor do të evidentohet dhe trajtohet në raportin përfundimtar të procesit.
Sipas KQZ-së, të gjitha aktivitetet në Qendrën e Numërimit të Rezultateve dhe në qendrat komunale të numërimit janë transparente, duke mundësuar monitorim të vazhdueshëm nga mediat dhe vëzhguesit e pranishëm në QNR dhe QKN.
“Gjetjet që mund të evidentohen gjatë këtij procesi do të përfshihen në raportin përfundimtar të KQZ-së, i cili do të jetë i detajuar për secilin vendvotim dhe për çdo gjetje të evidentuar gjatë këtyre ditëve të rinumërimit”, tha zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi në një konferencë për media.
Ai tha se në rastet kur ka pasur dyshime për shkelje jashtë kornizës ligjore, zyrtarët përgjegjës kanë njoftuar institucionet kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.
“Kur ka pasur dyshime për çështje të caktuara që nuk kanë qenë brenda suazave ligjore, zyrtarët përgjegjës të KQZ-së kanë njoftuar institucionet përkatëse për të ndërmarrë hapat e tyre në kuadër të përgjegjësive ligjore”, tha Elezi./Klankosova.tv



